Në fund të vitit 2025, bankat e Kosovës kishin 2.72 milionë llogari bankare të klientëve

Euro

Shifra prej 2.72 milionë llogarish bankare të klientëve paraqet një rritje prej 7.5 për qind krahasuar me fundin e vitit 2024. Rreth 98.1 për qind e llogarive u përkasin rezidentëve, ndërsa rreth 1.9 për qind jorezidentëve.

Buletini Ekonomik

Sipas Raportit Vjetor 2025 të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në fund të vitit të kaluar numri i përgjithshëm i llogarive bankare të klientëve në bankat e Kosovës arriti në rreth 2.72 milionë, duke shënuar rritje prej 7.5 për qind krahasuar me fundin e vitit 2024. Rreth 98.1 për qind e llogarive u përkasin rezidentëve, ndërsa rreth 1.9 për qind jorezidentëve.

Nga totali i llogarive, në fund të vitit 2025 mbi 1 milion llogari kishin qasje online, duke shënuar rritje prej 19 për qind të qasjes në llogari nga distanca.

Bazuar në të dhënat statistikore, zhvillimi i infrastrukturës ka vazhduar trendin rritës, ndërsa inkurajues mbetet edhe ritmi i shpejtë i rritjes së përdorimit të instrumenteve të pagesave elektronike.

LEXO EDHE:

Bankat e rrisin në 5 euro tarifën për pagesa brenda bankës

Reklama e sponzorizuar

Institucionet Financiare Jo-Bankare (IFJB) të regjistruara për emetimin e parasë elektronike, në fund të vitit 2025, kanë raportuar 122,546 llogari të parasë elektronike, duke shënuar rritje të shpejtë, duke pasur parasysh se ky është vetëm viti i pestë i operimit të tyre në treg. Këto institucione kanë realizuar gjithsej 2.4 milionë pagesa me para elektronike, me një vlerë prej rreth 1.1 miliard euro.

Sipas Raportit 2025 të BQK-së, nxitja e përdorimit të instrumenteve të parasë elektronike ka ndikuar edhe në zgjerimin e përfshirjes financiare të qytetarëve, duke u mundësuar qasje në shërbimet e pagesave, si hapja e një llogarie të parasë elektronike ose llogarie pagese dhe zotërimi i një kartele me parapagim, veçanërisht për kategoritë e popullsisë që nuk kanë pasur qasje në shërbime bankare, përfshirë edhe personat e papunë.

Po ashtu, realizimi i transaksioneve elektronike konsiderohet si një mundësi e rëndësishme që u lehtëson qytetarëve qasjen në kursime, kredi, sigurime dhe shërbime të tjera financiare.

“Rritja e pagesave elektronike reflekton një ndryshim të dukshëm në sjelljen e konsumatorëve, të cilët po orientohen drejt metodave më të shpejta, më të sigurta dhe më praktike të pagesës. Lansimi i Apple Pay gjatë vitit 2025, pas përfshirjes së Kosovës në Google Pay një vit më parë, për realizimin e të cilave u angazhuan BQK-ja, bankat dhe partnerët ndërkombëtarë, ka forcuar më tej infrastrukturën digjitale në vend dhe ka përshpejtuar tranzicionin drejt një ekonomie më moderne dhe më pak të varur nga paraja e gatshme”, thuhet në raport.

Sipas BQK-së, numri i pagesave të realizuara përmes kuletës digjitale arriti në 1.8 milionë, ndërsa vlera totale e tyre ishte 34.3 milionë euro, duke dëshmuar rritjen e konsiderueshme të përdorimit dhe besimit të qytetarëve në këto forma moderne të pagesës.