Njësia A4 e Termocentralit Kosova A rikthehet në operim pas riparimit vjetor

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka njoftuar se Njësia A4 e Termocentralit Kosova A tashmë është rikthyer në operim, pasi ka përfunduar me sukses riparimin e rregullt vjetor.

Sipas njoftimit të KEK-ut, procesi i startimit të njësisë ka nisur në orët e para të mëngjesit, rreth orës 01:00.

Pas përfundimit të procedurave teknike dhe kontrolleve të nevojshme, Njësia A4 është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 05:15.

KEK vlerëson se rikthimi i kësaj njësie në operim forcon kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike dhe rrit gatishmërinë teknike të korporatës në kuadër të përgatitjeve për sezonin dimëror.

Në fillim të muajit qershor, blloku A4 i Kosovës A ishte ndalur në mënyrë të kontrolluar nga operimi, si pasojë e rrjedhjeve të ujit në kaldajë, konkretisht në zonën e tejnxehësit. /Buletini Ekonomik/