Kosova siguron 5 milionë euro grant nga KfW për modernizimin e rrjetit të transmisionit të energjisë

Nënshkrimi i marrëveshjes 5 milionë eurosh mes Ministrisë së Financave dhe KfW për modernizimin e rrjetit të transmisionit të energjisë.

Kosova ka siguruar një grant prej 5 milionë eurosh nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) për përmirësimin dhe modernizimin e rrjetit të transmisionit të energjisë elektrike.

Marrëveshja e grantit u nënshkrua nga Ministria e Financave dhe KfW në kuadër të projektit “Zhvillimi i sektorit të energjisë – Faza VII: Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”.

Financimi shtesë do të përdoret për realizimin e projekteve që synojnë fuqizimin e infrastrukturës së transmisionit, rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe avancimin e integrimit të tregut energjetik.

LEXO EDHE:

Kosova nënshkruan marrëveshje 81 milionë euro me KfW për reforma dhe tranzicion energjetik

Projekti zbatohet nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), me qëllim modernizimin e mëtejshëm të rrjetit dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit elektroenergjetik.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se mbështetja nga Qeveria Gjermane përmes KfW-së do të ndihmojë në realizimin e investimeve prioritare në sektorin e energjisë.

Ndërkaq, drejtori i KfW-së për Kosovë, Moritz Remé, vlerësoi bashkëpunimin me institucionet kosovare dhe konfirmoi vazhdimin e mbështetjes për zhvillimin e sektorit energjetik.

Në anën tjetër, KOSTT bëri të ditur se projektet e financuara po zbatohen sipas planit dhe se investimi i ri do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve dhe besueshmërisë së rrjetit të transmisionit në Kosovë. /Buletini Ekonomik/