Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka paralajmëruar vazhdimin e aksioneve për lirimin e pronave ujore të uzurpuara dhe rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje, duke bërë të ditur se pas aksionit në Liqenin e Ujmanit, në fokus do të jenë edhe zonat përreth liqeneve në Batllavë dhe Badovc.
Në një reagim publik, ministria theksoi se mbrojtja e resurseve ujore është një prioritet strategjik kombëtar dhe se tashmë ka nisur trajtimin e kërkesave të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike për lirimin e pronave ujore të uzurpuara ose të tjetërsuara në kundërshtim me ligjin.
Sipas MMPHI-së, aksioni i fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, ku me asistimin e Inspektoratit të ministrisë dhe Policisë së Kosovës u rrënuan 16 objekte të ndërtuara pa leje në pronat ujore nën administrimin e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, ishte vetëm një nga hapat e planit për mbrojtjen e resurseve ujore.
Ministria bëri të ditur se aktualisht po shqyrtohen me intensitet të lartë edhe rastet e uzurpimeve dhe ndërtimeve pa leje në zonat përreth Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit, të cilat janë burime kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët e Kosovës.
Sipas reagimit, Inspektorati i MMPHI-së është duke identifikuar të gjitha shkeljet në këto zona dhe, pas përfundimit të këtij procesi, do të ndërmerren masa ligjore për lirimin e hapësirave të uzurpuara dhe rikthimin e tyre në funksion të interesit publik.
Ministria theksoi gjithashtu se monitorimi po vazhdon edhe në zonat e mbrojtura dhe në parqet kombëtare, duke ritheksuar përkushtimin për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e resurseve ujore dhe natyrore nga uzurpimet dhe ndërtimet e paligjshme. /Buletini Ekonomik/
MË SHUMË:
Komuna e Podujevës fajëson drejtorin e shkarkuar për ndërtimet pa leje përreth Liqenit të Batllavës










