Ekonomia e Kosovës shënoi përshpejtim të rritjes reale në tremujorin e parë të vitit 2026, duke u zgjeruar me 5.4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kështu thuhet në raportin më të fundit “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë” të publikuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK).
Sipas raportit, rritja ekonomike u mbështet kryesisht nga përmirësimi i bilancit të eksporteve neto dhe rritja e konsumit publik, ndërsa investimet vazhduan të japin kontribut pozitiv, por me ritëm më të ngadalshëm.
“Rritja e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, e shoqëruar me ngadalësimin e importeve të mallrave, kontribuoi në përmirësimin e bilancit tregtar”, thuhet në raport.
BQK vlerëson se, ndryshe nga tremujori paraprak, kur konsumi privat dhe investimet ishin shtytësit kryesorë të rritjes, në TM1 2026 konsumi privat u tkurr, duke reflektuar ndikimin e inflacionit dhe ngadalësimin e financimit të konsumit. Në të njëjtën kohë, rritja e konsumit qeveritar kompensoi pjesërisht dobësimin e kërkesës së brendshme.
Raporti tregon gjithashtu se inflacioni u përshpejtua në 6.0 për qind, nga 5.2 për qind në tremujorin paraprak, kryesisht si rezultat i rritjes së çmimeve të shërbimeve dhe energjisë. Edhe inflacioni bazë shënoi rritje, duke arritur në 5.1 për qind, i nxitur kryesisht nga çmimet e shërbimeve.
LEXO EDHE:
BQK: Ekonomia e Kosovës u rrit me 3.6% në vitin 2025, inflacioni pritet të arrijë 6.7% më 2026











