Është mëse e domosdoshme ç’bllokimi dhe rikthimi i aktivitetit të institucioneve që trajtojnë ecurinë e çmimeve, ndërsa rritja e numrit të inspektorëve të tregut përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mbikëqyrjes së tregut.
Buletini Ekonomik
Paralajmërimi i ditë më parë i ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, se nga muaji gusht numri i inspektorëve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut do të rritet nga 25 në 43 dhe synimi që deri në fund të vitit ky numër të arrijë në 100 inspektorë, shpërfaq gjithsesi një fije shprese se mbrojtja e konsumatorëve dhe forcimi i mbikëqyrjes së tregut në Kosovë, më në fund, do të nisë të bëhet çështje e trajtimit më serioz nga institucionet e vendit.
Ministrja Kusari-Lila tha, me rastin e paralajmërimit për rritje të numrit të inspektorëve, se rritja e kapaciteteve të inspektoratit synon të sigurojë mbrojtje më efektive për qytetarët nga manipulimet, mashtrimet dhe shkeljet në treg dhe se forcimi i inspektoratit do të ndikojë në rritjen e sigurisë së konsumatorëve dhe në garantimin e një tregu më të drejtë dhe më të rregulluar.
Gjithsesi, rritja e kapaciteteve të inspektoratit, gjegjësisht e numrit të inspektorëve të tregut në vend, ka qenë nevojë e kahershme.
Në mungesë të inspektorëve dhe kontrollit të domosdoshëm të tyre në rrjetet tregtare të vendit, në Kosovë çmimet e të gjitha produkteve, por veçanërisht të produkteve ushqimore elementare, në të shumtën e rasteve, në këto vite, kanë qenë në rënie të lirë.
LEXO MË SHUMË:
MINTI synon 100 inspektorë të tregut deri në fund të vitit, aktualisht janë vetëm 25











