Tender i dyshimtë në MPB: U rekomandua oferta me çmim jonormalisht të ulët, por kontrata nuk u nënshkrua

Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë

Organizata Demokraci Plus (D+) ka publikuar një raport të ri për procedurat e prokurimit publik në nivel qendror, në të cilin ka evidentuar një sërë parregullsish dhe veprimesh të dyshimta në tenderët e institucioneve. Në mesin e rasteve të analizuara është edhe tenderi i Ministrisë së Punëve të Brendshme për shërbime profesionale inxhinierike, ku u rekomandua një ofertë me çmim jonormalisht të ulët, pavarësisht mospërputhjeve të konstatuara ndërmjet ofertës fillestare dhe sqarimeve të dorëzuara më vonë, shkruan Kujdestari.info.

MPB-ja rekomandoi për kontratë një grup kompanish me ofertë dukshëm më të ulët se të gjitha ofertat e tjera. Çmimi ishte rreth 31 për qind më i ulët se mesatarja e ofertave dhe 19 për qind më i ulët se oferta e dytë më e lirë, duke përmbushur kushtet që të trajtohej si ofertë me çmim jonormalisht të ulët.

Pavarësisht mospërputhjeve të konsiderueshme ndërmjet ofertës fillestare dhe sqarimeve të mëvonshme të kompanive, MPB-ja i kishte konsideruar këto sqarime të mjaftueshme dhe kishte rekomanduar dhënien e kontratës. Në fund, kontrata nuk u nënshkrua dhe ministria nuk dha shpjegime për mosnënshkrimin e saj.

Këto të gjetura janë publikuar nga Demokraci Plus (D+), në raportin për monitorimin e procedurave të prokurimit publik.

MPB-ja nisi tender të ri derisa kontrata ekzistuese ishte ende në fuqi

Më 7 gusht 2023, MPB-ja kishte nënshkruar kontratën publike për “Shërbime profesionale inxhinierie për nevoja të MPB-së”, me kohëzgjatje prej 36 muajsh.

Sipas kushteve të saj, shërbimet ishte paraparë të ofroheshin deri në gusht të vitit 2026.

Megjithatë, më 25 shkurt 2026, rreth gjashtë muaj para përfundimit të kontratës ekzistuese, MPB-ja publikoi vendimin për një aktivitet tjetër prokurimi me të njëjtin objekt.

Për kontratë u rekomandua grupi i operatorëve ekonomikë “Dea Group”, “A2 Engineering” dhe “News”, me ofertë prej 277,777.77 eurosh. Kjo ofertë ishte 54.21 për qind më e ulët se vlera e parashikuar nga ministria.

Nëntë oferta, dallime të mëdha në çmime

Në këtë tender kishin konkurruar nëntë operatorë dhe grupe operatorësh ekonomikë.

Ofertat e tyre ishin:

Operatori ekonomik Vlera e ofertës
Hidroing – DK dhe Hark Architecture 346,100.00 €
Vizion Project 386,725.00 €
IPE-PROING 369,150.00 €
Dea Group, A2 Engineering dhe News 277,777.77 €
Taulant, Studio Hapsira, Geoplan & Consulting Group dhe Smart Architecture 398,930.00 €
Instituti i Konsulencës në Ndërtim dhe ENG Idea 487,450.00 €
Alb-Architect dhe North-West 499,750.00 €
AL Engineering dhe FST Engineering 361,900.00 €
Enggroup dhe SEMAKS 532,600.00 €

Çmimet e ofruara varionin nga 277,777.77 euro deri në 532,600 euro, duke treguar dallime të mëdha ndërmjet ofertuesve.

Oferta fituese, 31 për qind nën mesataren

Sipas analizës së D+, oferta e grupit të rekomanduar ishte rreth 31 për qind më e ulët se mesatarja e ofertave, e cila arrinte në 406,709.19 euro.

Ajo ishte gjithashtu rreth 19 për qind më e ulët se oferta e dytë më e lirë.

D+ konstatoi se oferta i përmbushte kushtet për t’u trajtuar si ofertë me çmim jonormalisht të ulët, sipas nenit 41.3 të Rregullores për Prokurimin Publik.

Sipas kësaj rregulloreje, një ofertë konsiderohet me çmim jonormalisht të ulët kur plotësohen njëkohësisht tri kushte:

Çmimi është më shumë se 30 për qind më i ulët se mesatarja e ofertave të përgjegjshme, është më shumë se 10 për qind më i ulët se oferta e dytë më e lirë dhe në tender janë dorëzuar së paku tri oferta të përgjegjshme.

MPB-ja kërkoi sqarime për çmimet

Për shkak të çmimeve jonormalisht të ulëta, MPB-ja kishte kërkuar sqarime nga grupi i operatorëve ekonomikë.

Në përgjigjen e dorëzuar më 1 shkurt 2026, operatori kishte deklaruar se qëndronte plotësisht prapa ofertës dhe se do t’i përmbushte me përpikëri të gjitha detyrimet kontraktuale.

Kompania kishte ofruar edhe sqarime për pozicionet e veçanta të ofertës.

D+ gjeti mospërputhje substanciale në çmime

Nga krahasimi i ofertës financiare fillestare me sqarimet e dorëzuara më vonë, D+ konstatoi mospërputhje të përsëritura dhe substanciale në disa pozicione.

Çmimet e deklaruara në ofertën fillestare nuk përputheshin me çmimet e paraqitura në sqarimet e mëvonshme.

Sipas D+, këto mospërputhje cenonin vetë qëllimin e procedurës së sqarimit, e cila duhet të shërbente për verifikimin real të ofertës dhe jo për ndryshimin e saj pas dorëzimit.

MPB-ja i konsideroi sqarimet “të mjaftueshme”

Pavarësisht këtyre mospërputhjeve, MPB-ja i kishte vlerësuar sqarimet e kompanive si të mjaftueshme dhe bindëse.

Ministria më pas kishte vazhduar me rekomandimin e këtij grupi për dhënien e kontratës.

D+ vlerëson se MPB-ja nuk është dashur të mbështetej në këto sqarime, pasi ato nuk përputheshin me çmimet e paraqitura në ofertën fillestare.

Sipas organizatës, një veprim i tillë nuk garantonte respektimin e parimit të ekonomicitetit dhe efikasitetit në shpenzimin e parave publike. Ai krijonte rrezik që shteti të mos merrte vlerën e duhur për paratë dhe që çmimet të mos pasqyronin kushtet reale të tregut.

Kontrata nuk u nënshkrua, MPB-ja nuk dha shpjegime

Rregullat e prokurimit publik kërkojnë që, pas përfundimit të afatit për ankesa, autoriteti kontraktues ta përgatisë dhe ta nënshkruajë kontratën brenda 30 ditëve kalendarike.

Megjithëse Njoftimi për Dhënie të Kontratës ishte publikuar më 26 mars 2026, kontrata nuk ishte nënshkruar.

Sipas D+, MPB-ja nuk kishte ofruar asnjë sqarim për arsyet e mosnënshkrimit.

Organizata thekson se kjo situatë pasqyron një praktikë të përsëritur gjatë periudhës 2020–2025 në MPB dhe në institucionet në varësi të saj, ku kontrata me vlera të mëdha ishin anuluar pas shpalljes së fituesit për shkak të mungesës së nënshkrimit në nivel vendimmarrës.

Kjo praktikë, sipas raportit, përbën shmangie nga afatet dhe detyrimet e përcaktuara me rregullat e prokurimit publik.

Megjithatë, për shkak të paqartësive dhe mospërputhjeve të krijuara rreth çmimeve të ofertës, D+ vlerëson se anulimi i dhënies së kontratës mund të përbënte një opsion të justifikueshëm procedural.

Sipas organizatës, një veprim i tillë do të mund të ndërmerrej për ta ruajtur integritetin e procesit të prokurimit. /Kujdestari.info/