Tërhiqet Haradinaj, pezullon vendimin për pronat në veri

Qeveria e Kosovës e ka pezulluar vendimin për kthimin e pronave shoqërore në pronësi të komunave serbe, derisa Gjykata Kushtetuese të dalë me një konstatim për këtë çështje.

Në mbledhjen e gjashtë nëntorit, Qeveria kishte aprovuar kërkesat e komunave të Mitrovicës së Veriut, Ranillugut dhe Kllokotit për tërheqje nga procesi i privatizimit të të gjitha pronave shoqërore që ndodhen në këto komuna.

Por, sot ekzekutivi ka pezulluar këtë vendim derisa Gjykata Kushtetuese të dalë me një konstatim për këtë çështje.

Reklama e sponzorizuar

Ky vendim i Qeverisë vjen, pasi që Zyra Ligjore e Presidentit të Kosovës të premten e kaluar ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese interpretimin e neneve 92 dhe 94 të Kushtetutës së Kosovës, pas vendimit të Qeverisë për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe bartjen e një numri pronash që menaxhoheshin nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, në pronësi të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Kllokotit, Ranillugut dhe komunave të tjera.

Ndryshe kjo kërkesë për ndalim të privatizimit në komunat me shumicë serbe ka qenë kusht i vazhdueshëm i Listës Serbe ndër vite.

Kujtojmë se Lista Serbe edhe në vitin 2015 kishte marrë garanci nga koalicioni qeverisës, aso kohe mes PDK-së dhe LDK-së, se nuk do të ndodhë privatizimi i pronave shoqërore në këto komuna.