Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku ka bërë me dije se ka nisur procedurat ligjore për anulimin e tenderit 110-milionësh për ndërtimin e 24 kilometrave autostradë Banullë-Dheu i Bardhë, tender ky që ishte shpallur në kohën kur Pal Lekaj po udhëhiqte me këtë ministri.
Abdixhiku ka thënë para gazetarëve se projekti në fjalë është prioritet i Qeverisë Kurti, por se thirrja për tenderim mund të ndodh vetëm pasi që te jetë miratuar buxheti.
“Nga sot kam iniciuar procedurat ligjore për anulimin e këtij tenderi. Ne do t’i ndjekim të gjitha procedurat ligjore, unë i kam marrë masat në këtë drejtim që të ndodhë sa më shpejt. Ne e kemi pjesë të programit qeverisës, por nuk guxojmë që të fusim shtetin dhe qeverin në obligime financiare pa pasur buxhet të aprovuar. Fillimisht duhet të kalohet nëpërmjet leximit të parë dhe të dytë të buxhetit, dhe të dihet shuma e shuma financiare dhe më pas në bazë të buxhetit në fjalë do të bëjmë tenderime”, ka thënë Abdixhiku.
Ndryshe, më 13 janar të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës që udhëhiqej nga Pal Lekaj, ka publikuar njoftimin për kontratë me titull: Ndërtimi i Autoudhës A7, kryqëzimi në disnivel A6, Autostrada A7 Banullë-Dheu i Bardhë, pjesa e udhëkryqit Bresal-Dheu i Bardhë. Sipas njoftimit për kontratë, ky projekt do të kushtojë 110 milionë euro. /Express/