Gjiganti gjerman për prodhimin e substancave kimike, Bayer, pritet të paraqesë ankesë në një gjykatë amerikane në Missouri pas vendimit për dëmshpërblim prej 265 milionë dollarëve për një kultivues të pjeshkave, i cili u ankua se produktet e kompanisë gjermane ia dëmtuan të mbjellat.
Amerikani Bill Bader i paditi kompanitë Bayer dhe BASF me pretendimin se produkti kimik dicamba kishte rënë mbi pjeshkat e tij prej fushave të tjera dhe i ka shkatërruar ato.
Ky vendim ishte i pari në mesin e rreth 140 rasteve në gjykatat amerikane, ku janë paraqitur ankesa kundër këtij produkti për dëmtimin e të mbjellave.
Megjithatë, kompania gjermane ka thënë se produktet e saj nuk paraqesin rrezik, nëse përdoren në mënyrën e duhur, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Gjiganti amerikan i substancave kimike, Monsanto, i blerë nga kompania Bayer për 63 miliardë dollarë në vitin 2018, e shet produktin dicamba në tregun amerikan.
Paditë kundër këtij produkti mund t’i kushtojnë kompanisë gjermane miliarda dollarë si rezultat i dëmshpërblimeve që duhet t’i paguajë.
Përmes një deklarate të publikuar të hënën, kompania Bayer tha se nuk pajtohet me vendimin e gjykatës dhe është shumë e zhgënjyer me këtë vendim.