Prokuroria gjermane zbulon mashtrimin e një “Call center” nga Kosova

Banorët e Dresdenit në Gjermani, kryesisht të moshuar dhe pensionistë, kanë rënë pre e një mashtrimi të madh që ka ardhur përmes një qendre të thirrjeve ose “call center” nga Kosova.

Siç raportojnë mediat gjermane, Policia ende nuk e ka kapur kreun e grupit, megjithatë një prej bashkëpunëtorëve të hënën më 17 gusht ka dalë para gjykatës.

Bëhet fjalë për Feston H., i cili tashmë ka treguar se qendra e thirrjeve me seli në Kosovë i përket një kushëriri të tij dhe se është detyruar që të bashkëpunojë për shkak të kushteve jo të mira ekonomike.

Reklama e sponzorizuar

“Unë isha në gjendje shumë të keqe financiare, isha i papunë”, ka thënë Feston H., i cili ka dalë të hënën para gjykatës së rrethit në Dresden dhe ka dhënë informacione rreth asaj se si ka funksionuar grupi, shkruan Sachsische.de, transmeton Gazeta Express.

Të moshuarit gjerman gjithmonë telefonoheshin nga kjo qendër thirrjesh në Kosovë. Personi që i telefononte fliste një gjermanishte të rrjedhshme dhe i bënte të besonin ata se kanë fituar lotari.

Për të finalizuar mashtrimin e tyre, u kërkonin gjermanëve që të realizonin blerje të kuponëve në Amazon në vlerë treshifrore dhe që përmes telefonit t’ua kumtonin më pas kodet e kuponit të blerë.

Feston H. kishte për detyrë që të riblente me kodet e kuponëve. Me këto kode grupi nga Kosova kishte blerë shufra ari.

Feston H. është i martuar me një grua gjermane, e cila punon si farmaciste. Prokuroria gjermane ka kërkuar për të një vit e gjysmë burg. Përveç kësaj Feston. H duhet të kthejë paratë të marra nga kuponët. Hetimet tashmë janë zgjeruar në kërkim të anëtarëve të tjerë të grupit, të cilët sipas informacioneve të Prokurorisë gjermane vazhdojnë ende aktivitetin e tyre.