Raporti i Bankës Botërore: Mbi 17 mijë vende të punës kanë humbur në vitin 2018

Edhe pse Banka Botërore përmes raportit të fundit deklaroi se në Kosovë mbi 17 mijë vende të punës janë humbur në vitin 2018 dhe se shkalla e papunësisë është rritur, kështu nuk mendon kryeministri Ramush Haradinaj.

Sipas tij, statistikat tregojnë se në Kosovë ka rritje të vendeve të punës. Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj ka thënë se gjendja megjithatë nuk është ajo që kërkohet.

“Nuk qëndrojnë këto shifra. Si i merrni ju është tjetër. Statistikat janë ekzistuese. S’ka humbje të vendeve të punës. Ka rritje. S’është rritja që kemi qejf, por ka rritje të vendeve të punës”, ka thënë Haradinaj.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka pranuar se me mbylljen e kazinove është prekur një numër i madh i qytetarëve që tash kanë mbetur pa punë. Sipas tij, duhet të bëhet një program i caktuar i dedikuar për ta.

Haradinaj është distancuar nga deklarimet e deputetit të AAK-së, Shkumbin Demaliaj se “me qejf do ta punësoja secilin njeri të AAK-së para të tjerëve”.

“Distancohem nga kjo. Nuk mendon as ai ashtu, por e paska thënë me ndonjë hidhërim. Askush s’mendon ashtu. Të gjithë duhet me pas vende të punës”, ka thënë Haradinaj.

Sipas Haradinajt, punësimi i bashkëpartiakëve të kryesuesve të Ekipit Negociator Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, në Zyrën e Koordinatorit Administrativ të Ekipit negociator ka logjikë.

“Ekipet janë profesionale, por edhe politike sepse dialogu është politik. Ka logjikë që ka bashkëpartiakë. Për koordinator e kemi lënë të hapur pasi mundësia ka qenë të koordinohen nga PDK-ja e të vijnë edhe ekspertë tjerë. Ne e përkrahim si qeveri funksionimin e kësaj zyre, por s’jam në dijeni të të gjithë procesit sepse është punë e bashkëkryesuesve. Mua më duhet tash ta dërgoj një përfaqësues pasi Avni Arifi shkon”, ka theksuar Haradinaj.

Haradinaj më tej ka folur për “sfidat” e Kosovës.

“Jemi vend që kemi sfida. Kosova ka sfida të shumta. Në Serbi, blejnë armë në Moskë. Ato armë janë për qëllime të luftërave. Bëjnë bukur shumë para. Me këtë i bie që Serbia po i merr paratë e taksapaguesve të Serbisë e po hap vende pune në Rusi. BE-ja s’po e kritikon. Për këtë po u them se ka shumë specifika. Si vend kemi dal nga lufta. Kemi disa skema sociale, disa skema pensionale. Në Gjermani ka skemë për ata të papunët. Akoma s’kemi mbërri ku duhet. Mendimi im është që sa më shumë Evropë në Kosovë më pak punë të këqija dhe më lehtë stabilizohet Ballkani. Nëse BE-ja s’ia hap negociatat Shqipërisë, është më pak Evropë në Ballkan. Kjo s’është në të mirën e Ballkanit”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se me Bankën Botërore shpreson të kenë partneritet në disa projekte në vend. Për vendet e punës ka përsëritur se duhet të bëhen investime më të shumta. Sipas tij, “po punohet, por s’jemi ku duhet”.