Mosfiskalizimi i bizneseve, Administrata Tatimore ka gjobitur 600 subjekte deri më tani

Arka Fiskale

Në Kosovë deri tani, mbi 36 mijë biznese kanë përfunduar procesin e fiskalizimit, ndërkaq një pjesë e madhe e tyre vazhdojnë të operojnë pa respektuar asnjë rregull tatimor.

Evazioni fiskal, çdo vit e më shumë i ka shkaktuar dëme të mëdha financiare buxhetit të shtetit. Në anën tjetër, vetëm gjatë 8-mujorit të parë të 2021, mbi 600 biznese janë gjobitur nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe vlera e gjobave arrin deri në 100 mijë euro.

Për ekonomistët, bizneset në vend, nuk kanë arsye të refuzojnë fiskalizimin, meqë Kosova ka adaptuar ligje dhe udhëzime të përshtatshme për operatorët dhe se konkurrenca e kompanive që ofrojnë produkte fiskale, ka bërë që aktualisht çmimi për një pajisje të tillë të jetë tejet i favorshëm dhe i përballueshëm për secilin biznes.

Reklama e sponzorizuar

Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se për bizneset është i favorshëm funksionimi formal, sepse në këtë mënyrë ka rregulla të barabarta për të gjithë në treg.

Rukiqi ka shtuar se procesi i fiskalizimit është tejet i rëndësishëm, jo vetëm për shtetin, por edhe për vet bizneset, sepse duke qenë të fiskalizuar, rriten mundësitë e partneritetit me bizneset e tjera në vend, por edhe me operatorë ndërkombëtarë.

“Shumë biznese tashmë kanë gjetur rrugë drejt eksportit për produktet që i prodhojnë në Kosovë dhe kanë krijuar aleanca me operatorë ndërkombëtarë. Kjo nuk do të ishte e mundur nëse këto biznese nuk do të ishin të fiskalizuara. Do të thotë, ky proces është përfitim për vet bizneset, aq më tepër kur tani kostoja e pajisjeve fiskalizuese ka rënë dhe është shumë e përballueshme për secilin biznes”, ka thënë Rukiqi për Infokus, duke shtuar se ankesat e fillimit për çmimet e arkave fiskale, tashmë nuk ekzistojnë, meqë operatorët që ofrojnë këto produkte, tani i kanë ulur çmimet.

Sipas ekonomistëve, stabiliteti ligjor është një tjetër element i rëndësishëm në procesin e fiskalizimit, meqë për secilin ndryshim eventual duhet kohë dhe shpenzim që të adaptohet dhe kjo mund të prolongojë punën e përditshme të tyre.

Nga ana tjetër, ditë më parë u tha që mbi 16 mijë gjoba u janë dhënë bizneseve, për shkak që nuk kanë qenë të fiskalizuara apo nuk kanë respektuar këto rregulla.

Këto të dhëna janë konfirmuar nga vet Administrata Tatimore e Kosovës. Ky institucion, është pyetur për detaje të tjera në këtë proces dhe përmes një përgjigje me shkrim, ka konfirmuar që vetëm gjatë 8 mujorit të parë të 2021, mbi 600 biznese janë gjobitur nga ATK dhe vlera e gjobave arrin deri në 100 mijë euro.

“Shikuar nga këndvështrimi i parimeve dhe analizës së riskut, bazuar në një Plan Detal të Veprimit (PV) dhe Planin e Trajtimit të Rreziqeve (PTRR), që në vete përfshinë praktikat më pozitive që aplikohen nga administratat moderne duke përfshirë këtu segmentimin e tatimpaguesve sipas veprimtarive dhe ka përcaktuar rreziqet e mospërmbushjes, Administrata Tatimore ka mbuluar atë segment te subjekteve që marrin pjesë ne total me mbi 95 për qind bruto qarkullimit vjetor të përgjithshëm ne Kosovë, apo që marrin pjesë në rreth 90 për qind të gjitha të hyrave të deklaruar dhe paguara nga tatimet”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Fiskalizimi është proces që duhet adaptuar nga secili operatorë ekonomik në vend. Ky proces i nisur një dekadë më parë dhe që funksionon mbi normat ligjore dhe administrative adekuate, është hap kyç në luftimin e ekonomisë jo-formale në vend dhe rritjes ekonomike.