Cilat janë favoret e tregut të përbashkët energjetik Kosovë – Shqipëri?

Fotografi ilustruese

Sipas Institutit për Politika Zhvillimore- INDEP, Tregu i përbashkët energjetik ka për synim lehtësimin e punës të të dyja sistemeve elektroenergjetike të dy shteteve, pra Kosovës dhe Shqipërisë, si nga aspekti teknik ashtu edhe nga aspekti ekonomik. Ky bashkim do të mundësojë operim më të lehtë të dyja sistemeve, do të kontribuojë në reduktimin e shpenzimeve dhe do të ndihmojë në shkëmbimin më të lehtë të rezervave ndërmjet të dy vendeve fqinje të Ballkanit Juglindor.

Buletini Ekonomik

Reklama e sponzorizuar

Prishtinë, 3 nëntor – Kriza energjetike e shpërfaqur tashmë diku më shumë dhe diku më pak, në shumë vende të botës ka shtyrë shtetet gjithandej nëpër botë t’i qasen më me seriozitet, më në mënyrë komplekse çështjes së sigurimit të energjisë për nevojat e tyre. Janë evidente tani një varg mendimesh e idesh për mënyra të ndryshme të sigurimeve të burimeve energjetike, në radhë të parë të atyre të rinovueshme, për shkak të ndalesave të shumta që i bëhen dhe do t’i bëhen edhe më shumë në të ardhmen përdorimit të qymyrit.

Janë shpërfaqur edhe ide dhe mendime prej më të ndryshmeve, ose janë rikujtuar ato ekzistuese të deritashme të bashkëpunimit ndër shtetëror rajonal, ndërfqinjësor bilateral e trilateral për të pasur më shumë dhe sa më të lirë energjinë elektrike, i bërë vrullshëm një nga mallrat më të kërkuara dhe më të shtrenjta në tregjet e botës.

Në këtë kontekst, këto ditë Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP ka mbajtur mjë konferencë ku shpalosi dhe bëri publike nëpërmjet një punimi hulumtues mundësitë reale dhe sfidat eventuale që do t’i kishin Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete vëllazërore-fqinjsore dhe me struktura të ndryshme të prodhimit të energjisë elektrike, në rast të bashkimit energjetik.

Duhet thënë se ky synim nuk është as i ri as i panjohur as në Kosovë, as në Shqipëri, por edhe ndër shtete të tjera. Ka ekzistuar, pra kaherë, por për shkaqe politike, të pavendosmërisë së të gjitha palëve dhe të zyrtarëve të të dyja shteteve dhe të pengesave të vendosura nga shtetet e treta, më konkretisht nga Serbia, deri tani është prolonguar në vazhdimësi.

Siç dihet, Kosova e ka thuaja tërë prodhimin e rrymës të bazuar në qymyr (termocentrale), ndërsa Shqipëria tërë rrymën e prodhuar e ka të bazuar në ujë (hidrocentrale).

Natyrisht, pa asnjë hamendje, me bashkimin energjetik të të dyja vendeve do të krijoheshin shumë favore në sigurimin e energjisë më të bollshme dhe në furnizimin më stabil të konsumeve të të dy vendeve. Do të valorizoheshin ndjeshëm prodhimet energjetike të të dyja vendeve.

Në konferencë, duke bërë publik punimin “Bashkimi energjetik Kosovë-Shqipëri: Sfidat dhe Mundësitë”, përfaqësuesit e INDEP radhitën favoret që do të kishin të dy vendet nga ky veprim, duke e vënë theksin te bashkimi i tregjeve energjetike si një imperativ për integrimin e burimeve efiçiente dhe rritje e sigurisë energjetike të dy vendeve.

Duke këmbëngulur në nevojën urgjente të krijimit të tregut të përvashkët energjetik Kosovë-Shqipëri, përfaqëuesit e INDEP-it kanë potencuar se benefitet që sjellë operimi energjetik përmes tregut të përbashkët mundësojnë zhvillimin e mëtutjeshëm energjetik dhe ekonomik të vendeve pjesëmarrëse.

Bashkimi i tregjeve të energjisë ofron potencial shumë të mirë edhe për sigurimin e furnizimit me energji, por edhe për uljen e nevojës për prodhim të energjisë.

Në tregje më të mëdha, tregtimi i energjisë bëhet më efikas, duke rritur kështu shpejtësinë e përgjigjes kërkesë-ofertë, duke bërë që të rritet siguria e energjisë.

Për më tepër, duke u rritur efikasiteti i përgjigjes kërkesë-ofertë ulet edhe nevoja për kapacitete të prodhimit, ngase sasia e kapacitetit rezervë që nevojitet të prodhohet ulet.

Tregu i tillë i përbashkët, sipas INDEP, ka për synim lehtësimin e punës të të dyja sistemeve elektroenergjetike të dy shteteve, pra Kosovës dhe Shqipërisë, si nga aspekti teknik ashtu edhe nga aspekti ekonomik. Ky bashkim do të mundësojë operim më të lehtë të dyja sistemeve, do të kontribuojë në reduktimin e shpenzimeve dhe do të ndihmojë në shkëmbimin më të lehtë të rezervave ndërmjet të dy vendeve fqinje të Ballkanit Juglindor.

Ndër të tjera, bashkimi energjetik sjellë mundësi më të zgjeruara për burimet e ripërtëritshme, si dhe lehtëson rrugën drejt arritjes së plotësimit të standardeve europiane.

Por, ç’është Tregu i përbashkët energjetik Kosovë-Shqipëri, ç’parasheh ai sipas INDEP?

Tregu është komponenta e dytë e bashkimit energjetik. Tregu paraqet bashkimin e interkonektorëve dhe më pastaj tregtimin e energjisë përmes tyre. Krijimi i një tregu të përbashkët energjetik është i favorshëm për secilin shtet. Kjo pasi që siguron rrjedhje më të sigurtë të energjisë, alokim më të lehtë të kapaciteteve, tregtim më të shpejtë dhe më të lirë, si dhe siguron çmim më të përballueshëm për konsumatorët.

Objektivat e ENTSO-E, Strategjitë e Energjisë, Direktivat e Bashkimit Europian dhe Pakoja e Tretë e Energjisë e përkrahin integrimin e tregjeve në një të vetëm, duke konstatuar se kjo garanton më shumë transparencë dhe likuiditet më të madh si për tregtarët dhe operatorët, ashtu edhe për blerësit.

Kosova dhe Shqipëria në të ardhmen e afërt synojnë një treg të përbashkët jo vetëm me njëra tjetrën, por edhe me vendet tjera të Ballkanit, e pse jo edhe me vendet e tjera të Evropës më pastaj.

Kosova dhe Shqipëria në Strategjitë e Energjisë përkatëse synojnë që të arrihet Tregu i përbashkët energjetik. Përpos optimizimit të rezervave, ku kostoja për konsumatorin është me çmim më të përballueshëm, sipas kodeve të ENTSO-E, Kosova dhe Shqipëria munden edhe t’i tregtojnë rezervat tashmë, konstaton INDEP në punim.

Të dyja vendet fqinje e synojnë bashkimin e tregut energjetik, pasi që do të optimizonin rezervat, do të zvogëlonin koston operative, do të arrihej më shpejtë integrimi në BE, si dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë do të përfitonin më shumë hapësirë në treg.

Tregu mes Kosovës dhe Shqipërisë konsiderohet si një treg i sigurt dhe jo treg i cili mund të paraqesë probleme sikur ai me Serbinë. Edhe pse të dyja vendet konsiderohen si shtete të vogla, integrimi i tregut mes Kosovës dhe Shqipërisë po shihet si një opsion që mund të zhvillojë treg me llojllojshmëri produktesh.

Zakonisht shtetet e vogla nuk mund të zhvillojnë tregje adekuate likuide, pasi që nuk kanë kapacitetete të ndryshme, por as palë pjesëmarrëse që të krijojnë një llojllojshmëri të tregut. Me integrimin tutje të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, do të krijohej më shumë laramani dhe më shumë opsione për konsumatorët. Pasi që edhe Pakoja e katërt e Energjisë, e miratuar nga BE-ja, ka zgjedhur që të bazohet në energji të pastër, atëherë edhe ne duhet të përshtatemi me kushtet dhe sygjerimet e BE-së, thuhet në punimin e INDEP-it. Bursa Shqiptare e Energjisë do të krijojë më shumë hapësira për burimet e ripërtëritshme dhe lehtësim për daljen në treg të tyre. /Buletini Ekonomik/