Lira e Turqisë ra në një nivel më të ulët kundrejt dollarit të premten pasi agjencia e vlerësimit, Fitch, rishikoi perspektivën e vendit mbi rreziqet nga drejtimi i politikës monetare, në “negative” nga “stabile”. Njësia humbi rreth 46% të vlerës së saj kundrejt dollarit amerikan këtë vit.
Monedha ra në nivelin më të ulët historik, 14.0 këtë javë, pasi Presidenti Tajip Erdogan, mbrojti politikën ekonomike të normës së ulët dhe ndërsa dollari përfitoi nga komentet e ashpra të Rezervës Federale të SHBA-ve.
Agjencia e vlerësimit e përshkroi ciklin lehtësues të bankës qendrore, i cili filloi në shtator, si të parakohshëm edhe kur inflacioni po përshpejtohej, dhe tha se shkaktoi përkeqësim të besimit të brendshëm i cili u reflektu në nënçmim të monedhës, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
“Mbajtja e një norme të politikës reale thellësisht negative mund të dëmtojë më tej besimin e brendshëm, duke rritur rreziqet për stabilitetin financiar, për shembull, nëse besimi i depozituesve tronditet, dhe potencialisht të rrezikojë aksesin deri tani elastik të bankave dhe korporatave në financimin e jashtëm,” tha Fitch në vlerësimin e tij.
Që nga shtatori, banka qendrore uli normën bazë me 400 pikë bazë në 15%, por guvernatori sinjalizoi se lehtësimi i politikës ka të ngjarë të ndalet në janar, pas një uljeje tjetër të normës këtë muaj.