INDEP: Transformimi në energji të gjelbër është e ardhmja e Kosovës

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) përmes një studimi të gjatë për tranzicionin energjetik të Kosovës, ia ka dhënë disa rekomandime Qeverisë aktuale. Në mesin e këtyre rekomandimeve, rreshtohet si i pari transformimi i gjenerimit të energjisë fillimisht përmes Pakove të ardhshme të Rimëkëmbjes dhe transformimi i Gjelbër.

Sipas INDEP-it, ndërtimi i centraleve të gjenerimit të energjisë elektrike përmes burimeve të ripërtëritshme është një nga pikat kyçe e cila do të duhej të integrohej në pakot paraprake por edhe në Parimet e rimëkëmbjes së gjelbër për Kosovën.

Në këtë raport, theksohet se Kosova është vend i cili gjenerimin e energjisë elektrike e ka të bazuar në thëngjill, dhe duke e ditur këtë fakt, pandemia COVID-19 dhe rikuperimi nga kjo pandemi, do të duhej të paraqiste mundësi edhe të transformimit të gjenerimit, pasi me këtë mënyrë të rimëkëmbjes, mund të krijohen vende të reja të punës dhe mundësi të reja për investime nga jashtë, e në anën tjetër të ketë edhe rimëkëmbje ekonomike nga pandemia në të njëjtën kohë.

Reklama e sponzorizuar

Sipas kalkulimeve në raport, del se nëse qeveritë kufizojnë ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale, sektori i energjisë së burimeve të ripërtëritshme mund të rritet në 38 milionë vende pune deri në vitin 2030 dhe 43 milionë vende pune deri në vitin 2050.

Edhe në vendin tonë, duke e parë potencialin e Kosovës për gjenerim të energjisë elektrike nga dielli dhe era, vlerësohet se potenciali për zhvillimin e mëtutjeshëm ekonomik është i lartë, dhe mundësi të tilla do të duhej të përfshiheshin në pakot e rimëkëmbjes të miratuara nga Qeveria e Kosovës.

Tranzicioni i energjisë është procesi i reduktimit të emetimeve të gazrave serrë deri në vlerën zero. Pra, tranzicioni kërkon reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile si në sektorin e gjenerimit të energjisë elektrike, ashtu edhe në pajisjet që shfrytëzojnë energji elektrike të tepërt, apo automjetet që funksionojnë përmes djegies së lëndëve djegëse fosile. E pakot e rimëkëmbjes së Kosovës, sipas INDEP, nuk kanë përfshirë procesin e tranzicionit energjetik dhe dekarbonizimit, dhe si rjedhojë e kësaj, Qeveria e Kosovës nuk ka ndjekur hapat e shteteve të tjera të cilat kanë shfrytëzuar rimëkëmbjen nga pandemia COVID-19 për të promovuar dhe avansuar këto procese. Mirëpo, përpos ndikimit në mjedis, integrimi i këtyre proceseve në pakot paraprake por edhe në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, vlerësohet se do të ndihmonte në krijimin e hapësirave për vende të reja të punës, do të ndihmonte familjet kosovare në tejkalimin e pandemisë dhe do të hapte rrugë për zhvillimin e së ardhmes përmes proceseve që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe transformimit të sektorit energjetik të Kosovës.

INDEP thotë se përfshirja e tranzicionit të energjisë dhe dekarbonizimit në pakot stimuluese ndaj pandemisë COVID-19 do të ndihmonte dhe afronte Kosovën në procesin e integrimit europian, pasi që një nga prioritet kryesore të Bashkimit Europian është pikërisht tranzicioni i energjisë dhe dekarbonizimi.

Në anën tjëtër, Kosova burim kryesor të energjisë e ka linjitin. 86.49% e kapacitetit operativ të energjisë elektrike totale gjenerohet nga ky burim, ndërsa pjesa tjetër nga hidrocentralet, centralet me erë dhe centralet solare, përcjell Buletini Ekonomik.

Basenet kryesore të linjitit janë: Baseni i Kosovës, Baseni i Dukagjinit dhe Baseni i Drenicës. Si lëndë djegëse, ndotja që i shkaktohet mjedisit me djegien e tij, është shumë e madhe dhe shumë e dëmshme për të gjithë organizmat e gjallë.

Megjithëse, “viteve të fundit ka filluar edhe inkuadrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë në tregun energjetik, ende nuk janë arritur caqet e synuara”, thotë raporti në fjalë.

Në bazë të këtyre rrethanave, INDEP vlerëson se duke synuar integrimin europian, zhvillimin e vendit, krijimin e vendeve të punës dhe tranzicionin energjetik, Kosova medoemos do të duhet të transformojë sektorin aktual të energjisë. Sipas tyre, transformimi në energji të gjelbërt është e ardhmja e Kosovës, e cila është e paevitueshme, duke inkurajuar Qeverinë e Kosovës të marrë parasysh opsionet e gjelbra të rimëkëmbjes, për një ballafaqim më të lehtë më krizën pandemike dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.

Raporti vë në pah gjithashtu se tani është koha që Kosova të ridrejtojë financimin nga investimet në sektorin e transportit, në investime në sektorin e shëndetësisë dhe në një angazhim serioz për të mundësuar tranzicionin e sektorit të energjisë. Drejtimi i politikave në këta sektorë dhe rishikimi i mundësive për një rimëkëmbje të gjelbër, vlerësohet se do të sigurojë qasje më të mirë të këndelljes nga pandemia COVID-19 dhe do të ofrojë mundësi të tejkalimit më të shpejtë të krizës.

Ata thonë se Institucionet Ndërkombëtare Financiare kanë ndihmuar në mbështetjen dhe sigurimin e fondeve për implementimin e shumë projekteve por edhe në tejkalimin e vështirësive të shfaqura nga pandemia. Konkretisht, institucionet e tilla si Banka Evropiane e Investimeve, Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës dhe Banka Botërore kanë ofruar dhe ende ofrojnë fonde dhe grante, të cilat ndihmojnë në shtyrjen përpara të proceseve të rëndësishme ekonomike, shëndetësore dhe proceseve të cilat kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm.

INDEP jep edhe disa opsione përmes të cilave do të mund të arrihej një rimëkëmbje e gjelbërt, siç janë p.sh.: sigurimi i vendeve të reja të punës përmes tranzicionit energjetik, forcimi i mbrojtjes së biodiversitetit, reformimi i transportit, shtimi i masave për efiçiencën e energjisë, digjitalizimi, dhe masat për tregun dhe integrimin e tregut.

Sipas këtij instituti, politikat e lartëpërmendura janë vetëm disa nga masat të cilat Qeveria e Kosovës do të mund t’i integronte në pakot e kaluara dhe në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, dhe që përmes të cilave do të mund kishim qasje më të mirë dhe më zhvillimore nga pandemia COVID-19.

Ndërsa disa prej benefiteve që Kosova do të mund t’i përfitonte nga gjenerimi i energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, nga masat e efiçiencës së energjisë dhe nga reformimi i transportit, do të mund të ishin këto: krijimi i vendeve të punës, tranzicioni i energjisë dhe dekarbonizimi, ngritja e investimeve, përafrimi me politikat europiane dhe integrimi në Bashkimin Europian, inovacion teknologjik,  zvogëlim i emetimeve të gazrave serrë, përmirësim i kualitetit të jetesës, zvogëlimi i ndikimit negativ në mjedis, krijimi i vendeve të punës, përmirësimi i të ardhurave të familjeve, nxitja e zhvillimit rajonal, përshpejtimi i përfitimeve nga reduktimet e karbonit dhe zvogëlimi i kërkesës për energji, zvogëlimi i emetimeve të gazrave serrë, digjitalizimi i transportit si dhe dekarbonizimi.

Efiçienca e energjisë nënkupton shfrytëzimin e sa më pak sasie të energjisë elektrike për të kryer punën e njëjtë, ku nëpërmjet këtij procesi do të reduktoheshin faturat dhe do të zvogëlohej ndotja. E për këtë, disa nga masat apo politikat që do të adaptonin më tutje efiçiencën e energjisë në shoqërinë kosovare janë: standardet e pajisjeve, rregullore të ndërtimit, taksa ndaj CO2 dhe trajnimi dhe edukimi.

Taksa ndaj CO2 funksionon në parimin që ndotësi paguan, duke detyruar prodhuesit dhe konsumatorët të paguajnë taksa për çdo ton të emetimeve të CO2.

Kurse, disa prej masave të cilat do të mund të mirreshin nga ana e Qeverisë së Kosovës, e të cilat qëndrojnë afër me masat e efiçiencës së energjisë janë: subvencionimi i kredive të gjelbërta, subvencionimi i gjysmës së shumës të shpenzuar për ngritjen e efiçiencës së energjisë (izolimi i mureve, izolimi i çatisë, izolimi i dyshemesë, ndërrimi i dritareve dhe dyerve, ndërrimi i pajisjeve shtëpiake), subvencionimi i makinave elektrike, si dhe ndërtimi i centraleve të gjenerimit të energjisë elektrike përmes burimeve të ripërtëritshme

Nga INDEP theksojnë se Pakot e ndihmave të implementuara në vendin tonë kishin për synim adresimin dhe zgjidhjen sa më të mirë të problematikave të paraqitura nga shfaqja e pandemisë, por jo edhe avansimin dhe rimëkëmbjen e gjelbër dhe të qëndrueshme për të ardhmen. Kjo, sipas tyre, ka ardhur si pasojë e mungesës së parimeve për caktimin e masave të cilat do të ndihmonin në krijimin e vendeve të reja të punës, ndikimin në tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Mirëpo, nga pikëpamja ekonomike, para së gjithash, siç thonë ata, pakot e ndihmave të rimëkëmbjes duhet të fokusohen në rikthimin e prodhimit dhe punësimit në nivele të qëndrueshme dhe afatgjate. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/

Raporti nga INDEP: Studim politikash: PARIMET E RIMËKËMBJES SËGJELBËR PËR KOSOVËN –MËSIMET NGA PAKOT PARAPRAKE DHE RRUGA PËR RIMËKËMBJE TË QËNDRUESHME