ATK: Afati për dorëzimin e raportit për transaksionet e kontrolluara për vitin 2021, deri me 31 mars

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar të gjithë tatimpaguesit se bazuar në Legjislacionin Tatimor, gjegjësisht Udhëzimin Administrativ MF-Nr. 02/2017 për Transferim të Çmimit, afati për dorëzimin e formës “Njoftimi i transaksioneve vjetore të kontrolluara” për vitin 2021 është deri me datë 31 mars 2022.

Në njoftimin e ATK-së në facebook thuhet se tatimpaguesit e përfshirë në transaksione të kontrolluara në mes të personave të lidhur, që janë subjekte të juridiksioneve të ndryshme tatimore, të cilët brenda periudhës raportuese në total kalojnë shumën prej treqind mijë euro (300,000€) janë të obliguar të dorëzojnë formën  “Njoftimi i transaksioneve vjetore të kontrolluara”.

Sipas tyre, raportimi të bëhet për transaksionet e kontrolluara të vitit 2021 dhe se ky njoftim duhet të dorëzohet në formë fizike në: Zyrën Qendrore të Administratës Tatimore të Kosovës / Divizionin për Transfer të Çmimit në adresën Këndi i rrugëve “Dëshmorët e Kombit” dhe “Bill Klinton”, Prishtinë.

Reklama e sponzorizuar

“Për çdo paqartësi, ju lutemi na kontaktoni në: Tel: 038 200 250 94 ose E-mail: transferpricing@atk-ks.org”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Ndryshe, ATK poashtu tregon se formularin “Njoftimi i transaksioneve vjetore të kontrolluara” mund ta gjeni në web-faqen e tyre, www.atk-ks.org  – Publikime – Dokumente./Buletini Ekonomik/