“Nga 100 euro do të marrin vetëm ata që e kanë pagën më të ulët se 1 mijë euro”

Euro

Nga Pakoja e re e Ringjalljes Ekonomike, e cila përfshinë rreth 100 milionë euro nga buxheti i shtetit, do të përfitojnë vetëm një kategori e punëtorëve.

Rrjedhimisht, nga punëtorët në sektorin publik dhe në atë privat, do të përfitojnë nga 100 euro vetëm ata të cilët e kanë pagën më të ulët sesa 1 mijë euro.

Këshilltari i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës, Ilir Kërçeli, përmes një postimi në facebook ka thënë se subvencionimi që u ba publik nga Qeveria sot, do të jetë vetëm për ata të cilët paga e tyre është nën 1 mijë euro, kurse për ata që paga e tyre kalon kufirin prej 1 mijë eurove, nuk do të ketë mbështetje.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, sot u bë e ditur se përmes kësaj pakoje të re financimi nga Qeveria, do të përfitojnë nga 100 euro të gjithë pensionistët e vendit dhe të gjithë të punësuarit si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, përcjell Buletini Ekonomik.

Nga kjo ndihmë pritet të përfitojnë nga 100 euro edhe të gjitha familjet që janë nën asistencë sociale.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tregoi sot se sa i përket përfitimit, pensionistët do t’i marrin këto shtesa që në pensionin e këtij muaji, kurse punonjësit e sektorit publik dhe ata që janë në kategorinë e asistencës sociale, do t’i marrin me pagat e fillimit të muajit maj.

Ndërsa, për punëtorët e sektorit privat dhe studentët, Murati tha se detajet e aplikimit pritet të bëhen publike gjatë ditëve në vazhdim. /Buletini Ekonomik/