‘Favoret’ me tenderë në KEK: E njëjta kompani fitoi 10 kontrata për furnizim me kushineta

Foto: Termocentrali Kosova B-KEK

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) i kishte zhvilluar 34 aktivitete të prokurimit për blerje të kushinetave të llojeve të ndryshme gjatë viteve 2018-2020.

Në vitin 2018 i kishte zhvilluar 12 aktivitete pastaj 12 në vitin 2019, dhe 10 aktivitete në vitin 2020. Dhjetë prej këtyre kontratave i kishte fituar një operator ekonomik i vetëm, ose gati 30% të kontratave, thuhet në raportin “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK)”, të hartuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

“Zyra e prokurimit e KEK-ut nuk e kishe bërë planifikimin e prokurimit të kushinetave në mënyrë më efikase, megjithëse nevoja për blerje të këtyre kushinetave ishte identifikuar me kohë. KEK-ut iu kanë nevojitur mesatarisht 67 ditë për zhvillimin e secilit nga 34 aktivitetet e prokurimit, nga publikimi i tenderit deri te nënshkrimi i kontratës”, thuhet në raport.

Reklama e sponzorizuar

Për më tepër, në secilin aktivitet është nevojitur të angazhohet staf për komisione të hapjes së ofertave, të tjerë për komisione të vlerësimit, si dhe për secilën kontratë nga një menaxher i kontratës.

Sipas Auditorëve, kjo do të thotë se KEK-u nuk ishte efikas në shfrytëzimin e burimeve të veta për shkak se nuk i kishte grumbulluar nevojat për blerje në mënyrë që të zhvillonte më pak aktivitete të prokurimit. KEK-u kishte lidhur një kontratë në vlerë prej 62,160 euro për blerje të kushinetave.

Operatori Ekonomik i kishte dorëzuar kushinetat në depo të KEK-ut në janar të vitit 2021. Në fund të vitit 2021 gjendja në depo kishte ndryshuar shumë pak. Shumica e këtyre kushinetave ishin ende në depo, ndërsa KEK-u kishte kërkuar garanci për vetëm 12 muaj. Garancia më nuk ishte e vlefshme ndërsa kushinetat ende nuk ishin montuar në pajisje të KEK-ut.

“Për pasojë çfarëdo defekti eventual që mund të ketë në kushinetat e blera nuk mund të reklamohet tek OE-ja. Ne kemi kërkuar kartelat e kushinetave edhe për tri kontrata, me vlerë të përgjithshme 64,351 euro, që KEK-u i kishte lidhur gjatë viteve 2019-2020, dhe kemi gjetur gjendje të ngjashme sa i përket skadimit të vlefshmërisë së garancisë. Afërsisht gjysma e kushinetave të blera ishin ende në depo”, thuhet në raportin e ZKA për KEK-un.

52% e kushinetave të blera kishin mbetur në depo për kontratën me numër 19- 6561, 48% për kontratën 20-2952 e kështu me radhë. Me këto katër kontrata ishin blerë 1,712 kushineta nga të cilat në depo ende ishin 1,046 sosh, e për të gjitha këto kishte skaduar afati 12 mujor i garancisë.

Gjithsej vlera e këtyre kushinetave të mbetura në depo ishte 62,638 euro ose 50% e vlerës së blerjes, përcjell Buletini Ekonomik.

Megjithëse ka kartelë të veçantë për secilën kushinetë të blerë dhe dihet saktë se kur është pranuar kushineta e kur ka dalë nga depoja, as menaxhmenti i KEK-ut e as zyra e prokurimit nuk kishin informacion lidhur me këtë gjendje. Nga kjo rezulton se KEK-u ka blerë, pa pasur nevojë, një numër të konsiderueshëm të kushinetave.

Shkak për jo-efikasitet ishte komunikimi dhe koordinimi i dobët mes zyrës së prokurimit dhe njësive kërkuese. Njësitë kërkuese të ndryshme kanë bërë kërkesa ndërsa zyra e prokurimit i ka proceduar ashtu siç i ka pranuar, pa i diskutuar me njësinë kërkuese nëse patjetër duhet të bëhet secila blerje veç e veç në vend se të bëhen të gjitha përnjëherësh.

Sipas Auditorëve, mos grumbullimi i nevojave për artikuj të njëjtë ose të ngjashëm ka rezultuar me më shumë aktivitete të prokurimit, që reflektohet me më shumë njerëz të përfshirë në zhvillimin e aktiviteteve të prokurimit.

“Pastaj, kjo është reflektuar edhe me më shumë kontrata dhe më shumë njerëz të përfshirë në menaxhim të tyre. Kjo do të thotë se KEK-u nuk ishte efikas sa i përket kësaj blerjeje. Qasja jo e duhur e zyrës së prokurimit për blerjen e kushinetave si dhe afati i shkurtër i garancisë për to, kishte rezultuar me stoqe në depo me afat të skaduar të garancisë. Këto kushineta mund të kenë ndonjë defekt ndërsa KEK-u s’e ka mundësinë që t’i reklamojë tek OE-ja për rimbursim. Duke pasur parasysh sasinë e cila gjendet në depo, rezulton që edhe identifikimi i nevojave për kushineta nuk ishte bërë si duhet”, vazhdon raporti i ZKA-së. /Buletini Ekonomik/