Ministria e Financave ka njoftuar se Drejtori Gjeneral i Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar Abdulhamid Alkhalifa dhe Ministri Hekuran Murati kanë nënshkruar marrëveshjen e kredisë për programin “Financat Publike të Kosovës dhe Rritja Ekonomike”, marrëveshje kjo që kap vlerën prej 40 milionë dollarë.
Sipas një njoftimi në facebook të lëshuar nga kjo ministri thuhet se marrëveshja në fjalë mbështetë prioritetet e Qeverisë për periudhën 2021-2025, që përfshijnë transparencën fiskale, mbështetjen e sektorit privat, si dhe tranzicionin energjetik.
Siç thuhet në njoftim, marrëveshja me OPEC vjen si vazhdimësi e reformave të përgatitura me Bankën Botërore për Financimin e Politikave Zhvillimore për Financat Publike dhe Rritjen e Qëndrueshme.
Ministri Murati tha se reformat e mbështetura nga ky program riafirmojnë faktin se strategjia jonë është e ngritur mbi themele të qëndrueshme fiskale dhe është në funksion të zhvillimit afatgjatë, duke konfirumar edhe njëherë përkushtimin drejt realizimit të Programit Qeverisës.
Në anën e tij, Drejtori Gjeneral i Fondit OPEC, Alkhalifa vlerësoi lartë partneritetin me Qeverinë e Kosovës, si dhe theksoi se programi synon të mbështesë rimëkëmbjen pas pandemisë, zhvillimin e sektorit privat, si dhe promovimin e tranzicionit në një ekonomi të gjelbër e në përputhje me objektivat e zhvillimit afatgjatë të Kosovës.
“Ministri Murati shprehu mirënjohjen e tij ndaj Fondit OPEC për parneritetin e deritanishëm, dhe të dyja palët u dakorduan që të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin në projekte të tjera zhvillimore që janë në interes të qytetarëve të Kosovës”, përfundon njoftimi i MF-së./Buletini Ekonomik/