Komuna e Gjakovës gjatë vitit të kaluar ka dhënë mbi 14 mijë euro për punë të cilat nuk ishin realizuar siç parashihej në projektet e kontraktuara

Komuna e Gjakovës vitin e kaluar dha mbi 14 mijë euro për punë të cilat nuk ishin realizuar.

Në raportin e Auditorit për komunën e Gjakovës, theksohet se kjo komunë ka paguar 3 mijë e 120 euro për projektin “Renovimi i Pallatit të Kulturës Cermjan Gjakovë”, ndërkohë që punët nuk ishin kryer fare.

Kështu për disa instalime makinerike, saktësisht pozicioni 1 “Furnizimi dhe montimi i kaldajave elektrike (3 copë) monobllok, ekuivalent me modeli 28KË”, nuk ishte realizuar pasi dy kaldaja nuk ishin vendosur fare, ndërsa një kaldajë e vendosur nuk ishte ekuivalent ose e ngjajshme me modelin 28 kË siç kërkohej në projekt.

Reklama e sponzorizuar

Vlera e paguar nga komuna për këto punë të parealizuar ishte 3 mijë euro, ndërkohë edhe pozicioni 2 “Furnizimi dhe montimi i valvolave sferike me holander 1”, nga ekzaminimi fizik i ZKA-së në terren është vërejtur se pozicion nuk ishte realziuar. Vlera e punëve të parealizuara ishte 120 euro.

Ndërkohë, kjo komunë poashtu ka paguar edhe 11 mijë e 513 euro për projektin “Ndërtimi i sallës së edukatës fizike në SH.M.E. Kadri Kusari – Gjakovë”, punë kjo e cila poashtu nuk ishte realizuar.

Siç theksohet në raportin e ZKA-së, pagesa prej 1 mijë e 237 eurove ishte bërë për Pozicionin 9.2 -“Furnizimi me material si dhe vendosja e granitit natyral t=2cm shkelëset dhe t-2cm balloret në hyrje të objektit, shkallët e jashtme dhe pllatot rampat”.

Sipas situacionit të nënshkruar nga organi mbikëqyrës i projektit ishte realizuar pozicioni dhe ishin vendosur 16.5m², ndërsa nga ekzaminimi fizik që ka bërë ZKA-ja shihet se ky pozicion ishte i parealizuar.

Përveç kësaj, kjo komunë ka paguar një vlerë prej 10 mijë euro për Pozicionin 9.3, saktëesisht për “ Furnizim me material si dhe montimi: Dyshemeja në sallën e sportit do të punohet nga Vinyli heterogjen si shtresë finale nga prodhuesi Tarkett apo ngjashëm, me karakteristika të njëjta”. Në bazë të të dhënave, sipas situacionit të nënshkruar nga organi mbikëqyrës është realizuar pozicioni dhe janë vendosur 500m², ndërsa nga ekzaminimi fizik i ZKA-së është parë që ky pozicion ishte poashtu i parealizuar.

Në vlerë prej 247 eurove u dhanë për Pozicioni 9.4 konkretisht për “ Furnizim me material si dhe montimi i llajsneve nga materiali i njëjtë (të rekomanduara nga prodhuesi i dyshemesë – Tarkett në perimetër të kthinave. Salla sportive”.

ZKA-ja ka theksuar se sipas situacionit të nënshkruar nga organi mbikëqyrës është realizuar pozicioni dhe janë vendosur 92 m², ndërkohë gjatë ekzaminimit fizik që kanë bërë kanë parë se realisht ky pozicion ishte i parealizuar.

Në bazë të kësaj, ZKA tregon se sipas zyrtarëve të komunës, shkak i realizimit të pagesave për punët e pa kryera te Renovimi i Pallatit të Kulturës- Cermjan Gjakovë” ishte se në të njëjtin objekt, kanë qenë duke operuar edhe firma të tjera, kurse te “Ndërtimi i sallës së edukatës fizike në SH.M.E. Kadri Kusari – Gjakovë” ishin kushtet atmosferike.

Auditori njofton se realizimi i pagesave për punët e pa kryera, ka dëmtuar buxhetin e komunës, po ashtu nuk është arritur qëllimi për zbatimin e plotë të projekteve.

ZKA-ja i rekomandon kryetari të komunës së Gjakovës të sigurojë që, përmes menaxherëve të kontratave, në raportin e pranimit, të përfshihen vetëm punët e realizuara, po ashtu, edhe pagesat të bëhen vetëm për punët e kryera, pasiqë sipas Rregullave dhe Udhëzuesit operativ për prokurimin publik pika 61.19 dhe 61.20, menaxherët e kontratës janë përgjegjës për menaxhimin e kontratës dhe duhet të sigurojnë se OE, kryejn kontratën në përputhje me termat dhe kushtet e specifikuara në kontratë dhe të siguroj që OE i përmbush të gjitha obligimet e performancës apo dërgesës në përputhje me termat dhe kushtet e kontratës. /Buletini Ekonomik/