Sindikata e BQK-së: Kemi vërejtur shkelje në procesin e largimit nga puna të Shkëndije Himaj Zekaj

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, e ka larguar nga puna, Shkëndije Himaj Zekaj, e cila kishte qenë kundërkandidate e tij për pozitën e Guvernatorit ndërsa së fundmi mbante pozitën ‘këshilltare e lartë e Bordit Ekzekutiv për sektorin financiar në BQK’.

Ajo është larguar nga puna përkundër faktit që nuk është intervistuar/dëgjuar fare nga Komisioni Disiplinor. Përveç kësaj, Himaj-Zekaj është larguar nga puna, në ditën që i ka përfunduar pushimi mjekësor i marrë një muaj më parë.

Reklama e sponzorizuar

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të BQK-së, Muhamed Koliqi, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se kanë vërejtur shkelje gjatë procesit ndaj Shkëndije Himaj Zekaj.

Ai ka theksuar se vazhdimisht kanë reaguar ndaj guvernatorit Fehmi Mehmeti por që i njëjti nuk ka kthyer përgjigje. Reagime, Koliqi thotë së kanë drejtuar edhe tek Bordi i BQK-së por që as nga ata nuk kanë marrë përgjigje.

“Për rastin e znj. Himaj, Kryesia e SPBQK-së ka vërejtur shkelje dhe si rrjedhojë në vazhdimësi ka reaguar lidhur me veprimet e Guvernatorit ndaj znj. Shkendije Himaj. Reagimet fillimisht janë drejtuar te Guvernatori dhe duke mos marrë përgjigje nga Guvernatori, reagimi është drejtuar edhe tek Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), mirëpo as nga këta të fundit asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje”, tha Koliqi.

Kryetari i Sindikatës, Muhamed Koliqi, tha se kanë kërkuar edhe monitorimin e punës së Komisionit Disiplinor por që as për këtë çështje nuk kanë marrë ndonjë reagim.

“Me 6 korrik 2022, Kryesia e SPBQK-së është informuar gjithashtu edhe për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së znj. Himaj nga ana e Guvernatorit. Kryesia e SPBQK-së është duke e shqyrtuar edhe këtë rast për të cilin sigurisht që do të reagojë së shpejti.Për më tepër, Kryesia e SPBQK-së ka kërkuar monitorim të punës së Komisioni Disiplinor të themeluar nga Guvernatorit për vërtetimin e pretendimeve, shumë prej të cilave janë pjesë e arsyetimit të vendimit të Guvernatorit për shkëputjen e kontratës së Znj. Himaj. Deri më tani Kryesia e SPBQK-së edhe për këtë kërkesën nuk ka pranuar përgjigje. Mirëpo lidhur me këtë kërkesë të Kryesisë së SPBQK-së, është njoftuar znj. Himaj, e cila pastaj ka njoftuar Kryesinë e SPBQK-së që kjo kërkesë e SPBQK-së është refuzuar nga ky komision”, tha Koliqi për KALLXO.com.