“Janë dy gjëra për të cilat gjatë qeverisjes sime jemi marrë vesh me Serbinë. Është çështja e targave, që të mos ketë targa të përkohshme, dhe përkohësisht t’i kemi ato letrat ngjitëse mbi simbolet. Edhe kjo duhet të përfundojë, sepse nuk është zgjidhje e përhershme, nuk është zgjidhje evropiane. Për këtë jemi marrë vesh dhe këtë e kemi zbatuar ne si Kosovë.
Dhe, tjetra (marrëveshje) për të cilën jemi marrë vesh, është për fillimin e faturimit të energjisë së konsumuar elektrike në veri të Kosovës. Edhe këtë e kemi zbatuar. I kemi pasur dy javë për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që ta bëjë licencimin e kompanisë në veri. E ka bërë për dy ditë. Ndërkaq edhe sot, pas shumë e shumë javëve, që është dashur të na dorëzohet regjistri i fundit i konsumatorëve në veri, Serbia nuk e ka bërë”, ka thënë kryeministri i Kosovës në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, duke u përgjegjur në pyetjen se si është duke shkuar zbatimi i marëveshjes me Serbinë për energjinë.
Pra, ka thënë Kurti, “ne i kemi dy dakordime me Serbinë, dhe është Serbia që nuk po i zbaton. Qeveria jonë, Qeveria aktuale, i ka dy dakordime. Në të dyjat, ne jemi konstruktivë dhe të përgjegjshëm. Atë çka merremi vesh, ne e zbatojmë. Por në asnjërën, Serbia nuk është konstruktive dhe nuk po e zbaton, as në kuptimin e qëllimit, se lëre më të praktikës. Pra, ata as nuk po thonë se do ta bëjnë. Dhe, kjo me të vërtetë është brengosëse. Besoj që faktorët ndërkombëtarë, e në veçanti Brukseli, do të duhej ta regjistronte, qortonte dhe ndëshkonte Beogradin për këtë”.
”Nuk kam kurrfarë mundësie në dimrin që vjen, të paguaj për veriun e Kosovës. Unë e di që nëse do ta shkëputnim veriun e Kosovës në Mitrovicë, në kuptimin e furnizimit me energji elektrike, menjëherë do të fillonte fushata për krizën humanitare në veri, që do të krijonte pretekst për dy lloj ndërhyrjesh. E para, Serbia të përfshihet në veri më shumë, dhe e dyta, rrjeti energjetik ekzistues në veri të lidhet me Novi Pazarin”, ka shtuar kryeministri i Kosovës.
Në vazhdim kreu i ekzekutivit të vendit, në këtë intervistë ka theksuar se “është i bindur që ky është synimi i tyre. Ata kanë synim që ne t’i shkëpusim qytetarët në veri të Ibrit në stacionin në Mitrovicë. Mirëpo, ne tashmë kemi paguar për këtë gjë dhe kjo pagesa ynë nuk është dhuratë. Është borxh i regjistruar, që të mos përfundojmë në atë shteg të errët, ndërkaq në anën tjetër, që të mos e rrezikojmë anëtarësimin tonë në ENTSO (Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji). Edhe për këtë arsye ne e kemi paguar”. “Por, kjo pagesë që e kemi bërë, e para është borxh dhe është e pamundur që të bëhet në dimrin që vjen. Andaj është shumë e rëndësishme që të zbatohet dakordimi i arritur”, ka përfunduar kryeministri Kurti./Buletini Ekonomik/