50 mijë euro iu vodhën në muajin qershor. Pavarësisht se kanë kaluar gati dy muaj që nga koha kur deputetit të Vetëvendosjes, Mirsad Shkreta, iu thye banesa, hetimet nuk kanë përfunduar. Deri më tash nuk ka ndonjë rezultat konkret.
Megjithatë, ajo që është konfirmuar për Nacionalen, është se deputetit Shkreta do t’i bëhet verifikimi i plotë i pasurisë.
Agjencia Kundër-Korrupsion ka bërë të ditur për gazetën Nacionale se pas rastit të deputetit Shkreta, atij do t’i bëhet verifikimi i plotë i pasurisë. Kjo pavarësisht se në shortin e hedhur, deputeti i VV-së nuk ishte në mesin e atyre që do t’iu verifikohet pasuria.
“Ju njoftojmë se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, pas raportimit në media, e ka shtuar këtë rast në listën e subjekteve deklaruese që do t’i nënshtrohen verifikimit të plotë. Agjencia pas mbledhjes dhe analizës së informatave dhe dëshmive, nëse do të jetë e nevojshme, do të ndërmarrë veprime konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për Nacionalen.
Në anën tjetër, hajduti që theu banesën e deputetit të Vetëvendosjes ende nuk është gjetur. Nga Prokuroria e Prishtinës ia kanë konfirmuar gazetës Nacionale, se kanë autorizuar që të kryhen të gjitha hetimet.
“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me këtë rast ju njoftojmë se fillimisht me urdhër të prokurorit kujdestar është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Vjedhja e rëndë”, e paraparë sipas KPRK-së, si dhe, është autorizuar policia t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të të gjitha rrethanave të kësaj çështjeje penale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Prishtinës.
Nacionale ka kontaktuar edhe deputetin Shkreta. Ai ka konfirmuar që rasti është nën hetime, dhe ka kërkuar që të mos ndikohen këto procedura. Deputeti i Vetëvendosjes ka pretenduar se është gjykuar nga opinioni dhe mediat, edhe pse në këtë rast ka qenë viktimë.
“Çështja është nën hetime. Rastin e ka Policia, nuk merrem unë me atë rast. Jo, jo. Na u ka thy shtëpia, na është dëmtu. Le ta bëjnë punën e vet institucionet. Normalisht, organet e bëjnë punën e tyre, unë nuk përzihem”, shprehet Shkreta.
“Nuk është e drejtë në një fatkeqësi të tjetrit, me gjyku tjetrin. Le ta bëjnë institucionet e drejtësisë punën. Unë jam qytetar i këtij vendi mbi të gjitha. Jam njeri me integritet, edhe rastësisht jam deputet. Nuk është gjetur kush është hajni, Policia me sa di po merret me rastin kaq kam informata. Në momentin që kemi diçka më kanë thënë të lajmërojmë. Fëmijët e mi tash nuk po rrinë në shtëpi, po kanë frikë”, deklaroi Mirsad Shkreta për Nacionalen.
Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje edhe në adresën e Policisë së Kosovës, por që deri më tash nuk ka kthyer përgjigje.
Si ndodhi vjedhja?
Deputeti i Vetëvendosjes, Mirsad Shkreta, në muajin qershor ka qenë cak i hajnave. Siç u raportua, atij dyshohet se i janë vjedhur 50 mijë euro dhe stoli në vlerë prej 10 mijë eurosh. Shkreta në Polici kishte deklaruar se paratë nuk ishin vetëm të tij, por edhe të baxhanakut.
Ai në Facebook kishte shkruar se i ka përmbushur obligimet sipas ligjit në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe të njëjtën gjë do ta bëjë edhe në mars të vitit 2023.
“Rrugëtimi im profesional nuk është vetëm në fushën e politikës. Për të gjithë opinionin e gjerë, ne jemi një çift mjekësh, të cilët e ushtrojnë me nder e dinjitet këtë profesion prej më shumë se 20 vitesh dhe gëzojnë respektin e të gjithë pacientëve, studentëve, kolegëve dhe të njohurve të tyre. Vetëm që 1 vit e gjysëm kam marrë detyrën e deputetit, asnjëherë nuk kam pasur pozita ekzekutive dhe i kam përmbushur sipas ligjit të gjitha obligimet e mia në lidhje me deklarimin e pasurisë. Të njëjtën do ta bëj edhe për deklarimin e këtij viti në mars të vitit 2023, ashtu siç thotë ligji. Prandaj, tendenca për ta lidhur gjithçka me këtë post është qëllimkeqe dhe thellësisht e padrejtë, aq më tepër kur e njëjta lidhet edhe me qëndrimet dhe deklarimet e mia politike”, kishte shkruar ai
Ndërkohë për 50 mijë eurot e Shkretës ishte deklaruar edhe Agjencia Kundër Kurrupsion.
Shefi i kësaj Agjencie, Yll Buleshkaj, ka thënë për Nacionale se nëse vërtetohet se paratë e vjedhura janë mbajtur kesh nga viti i kaluar, mund të konsiderohet shkelje
“Për sa i përket pyetjes tuaj mund të themi se: Fillimisht, më vjen shumë keq që një zyrtar i lartë i Kosovës ka qenë viktimë e krimit. Së dyti, raporti i dorëzuar përmes formularit të pasurisë nga deputeti e mbulon periudhën kohore 1 janar-31 dhjetor 2021, ndërsa ngjarja që ju keni përmendur ka ndodhur në fund të qershorit 2022, rrjedhimisht krahasimi mund të mos jetë i drejtë. Raportimi për pasurinë, të hyrat, etj., bëhet në vitin 2023. Së treti, në rast që mund të vërtetohet që të hollat janë mbajtur kesh nga viti i kaluar, dhe nuk janë raportuar, mund të konsiderohet shkelje”, kishte thënë drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj.
Pasuria e Mirsad Shkretës
Shkreta merr tri paga nga tri vende të ndryshme të punës.
Prej krejt kësaj, Shkreta në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar pasuri të paluajtshme, katër lokale afariste, një shtëpi dhe një banesë. Vlera e tyre kap shifrën e afër 500 mijë eurove.
Pasuri të luajtshme, Shkreta ka deklaruar dy vetura, njëra me vlerë 25 mijë euro.
Po ashtu, deputeti i VV-së ka deklaruar se posedon aksione 50 për qind në Integrident që është në bashkëpronësi me bashkëshorten e tij.
Ndërkaq deputeti që iu vodhën 50 mijë euro, ka deklaruar se para të gatshme në banka ka rreth 100 mijë euro në pronësi të tij dhe të bashkëshortes.
85 mijë euro para të gatshme ka deklaruar se ka në bankën TEB, ndërsa mbi 16 mijë në një bankë në Ferizaj që janë në emër të tij.
Shkreta thotë se ka edhe dy kredi që kapën vlerën e 100 mijë eurove.