‘Bum’ fitimesh për kompaninë kineze të makinave elektrike, lë pas Tesla-n në shitje

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, fitimi neto i BYD, prodhuesi më i madh në botë i makinave elektrike është trefishuar, falë rritjes së shitjeve.

Lajmi u bë i ditur nga shoqëria, në një deklaratë të hënën.

BYD, rriten shitjet e automjeteve elektrike

Reklama e sponzorizuar

Fitimi neto i prodhuesit të makinave elektrike, i mbështetur nga Warren Buffett, është rritur me 206% në 3,6 miliardë juanë, ose rreth 530 milionë dollarë. Të ardhurat u rritën me 65,7% në 150,6 miliardë juanë.

Në korrik, BYD deklaroi se shitjet e makinave elektrike në gjashtë muajt e parë të vitit u rritën me 315% me bazë vjetore në 641.350 njësi, duke lënë pas Tesla-n, me më shumë se 510.000 automjete.

Aksionet e BYD në Bursën e Hong-Kongut ranë me 10.7% në muajin e fundit, për shkak të shqetësimeve për rritjen ekonomike në Kinë.

Kapitalizimi i tregut i BYD, 121 miliardë dollarë, është më i madh se General Motors dhe Ford së bashku. Aksionet e GM kanë humbur thuajse një të pestën e vlerës së tyre në vitin e fundit kurse ato të Ford kanë fituar 19%.

 

Presionet e ekonomisë kineze

Konkurrueshmëria e BYD vjen pjesërisht nga furnizimet e brendshme të komponentëve kryesorë, duke përfshirë bateritë dhe gjysmëpërcjellësit e zgjedhur, si dhe nga fokusi më i hershëm tek automjetet elektrike.

Kompania, me seli në qytetin jugor të Shenzen, ka shmangur edhe kufizime të ndryshme të lidhura me Covid-19 që kanë goditur rivalin Tesla më në veri, në Shangai.

Në raportin e saj në mes të vitit, shoqëria thotë se “makroekonomia e Kinës u vu nën presionin e tkurrjes së kërkesës, goditjes së ofertës dhe dobësimit të pritshmërive, të cilat sollën dobësimin e besimit të konsumatorit, rënien e prosperitetit të industrisë së pasurive të paluajtshme dhe investime të dobëta”.

“Në kushtet e një mjedisi kompleks të brendshëm dhe të jashtëm, gatishmëria për konsum të automjeteve është e pamjaftueshme – deklaroi shoqëria. – Si pasojë, zhvillimi i industrisë kineze të automobilave është goditur rëndë”. BYD paralajmëroi se “mungesa e chip-ave dhe shtrenjtimi i çmimit të lëndëve të para po rrisin sfidat e industrisë së automobilave”.

Aktiviteti kompleks i BYD është më i diversifikuar krahasuar me rivalët e saj – ajo prodhon edhe pjesë për celularë dhe fotovoltaikë.

Ndër klientët e saj bëjnë pjesë Dell, Apple, Xiaomi dhe Huawei. Kompania shumëkombëshe Berkshire Hathaway e Warren Buffett zotëron 7.7% të aksioneve të BYD. Në fillim të këtij viti, BYD u rendit e 579 në klasifikimin e Forbes Global 2000 të shoqërive kryesore në bursë në botë.

Pasuria e presidentit të BYD, Wang Chuanfu, është 24.3 miliardë dollarë në listën e miliarderëve në kohë reale të Forbes.

Pasuria e zëvendëspresidentit të BYD, Lu Xiangyang, kushëri i Wang dhe drejtues i shoqërisë së investimeve Youngy Investment Holding është 19.1 miliardë dollarë, ndërsa pasuria e drejtuesit të BYD, Xia Zuoquan, në krye të shoqërisë së investimeve Zhengyuan Capital, është 4.4 miliardë dollarë. /Forbes/