Presidenti Biden propozon kryetarin e ri të Bankës Botërore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka propozuar biznesmenin indiano-amerikan, Ajay Banga-n, si njërin prej të përzgjedhurve nga qeveria amerikane për të udhëhequr me Bankën Botërore.

“Ajay Banga është i aftë të udhëheqë Bankën Botërore në këtë moment kritik historik. Ai ka kaluar më shumë se tre dekada në ndërtimin dhe qeverisjen e suksesshme të shumë kompanive globale, të cilat krijojnë vende pune dhe u sjellin investime vendeve në zhvillim”, ka potencuar presidenti Biden në mesazhin e tij.

Reklama e sponzorizuar

Në krye të Bankës Botërore tradicionalisht ka qenë dhe është dikush nga SHBA, shtet ky i cili është njekohësisht aksionari më i madh i këtij institucioni monetar ndërkombëtar, ndërsa europianët udhëheqin me Fondin Ndërkombëtar Monetar, por vendet në zhvillim kërkojnë që të bëhet zgjerimi i kësaj përzgjedhjeje.

Propozimi për Ajay Banga-n është i pari i bërë publik deri më tani, ndërsa Banka Botërore do të pranojë edhe propozime nga anëtarë të tjerë deri më 29 mars të këtij viti, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.

Banka Botërore ka kumtuar dje se pret që deri në fillim të muajit maj të zgjedhet presidenti i ri, i cili do të zëvendsojë Davvid Malpass, të dorëhequr javën që shkoi.

Dorëheqja e Malpass ka pasuar pas kundërthëniesh disa mujore rreth qëndrimeve të tij ndaj ndryshimeve klimatike dhe presionit që ka bërë ndaj tij sekretarja e Thesarit të SHBA, Janet Yellen, për të miratuar reforma “më trimëruese dhe më frymëzuese”. /Përktheu: Buletini Ekonomik/