Zyrtarë të KEK-ut i kanë thënë të premten Buletinit Ekonomik se të gjitha punët rreth remontit të përgjithshëm të bllokut A5 janë duke u realizuar sipas dinamikës së planifikuar dhe tash për tash nuk ka ndonjë vështirësi evidente në këto punë. Ata thanë se po punohet njëkohësisht edhe në remontin e turbinave, edhe në kalldajë. Rifreskimi i bllokut A5 në nivelin e remontit kapital do të sigurojë funksionimin e mirë dhe pa telashe të tij për 4 vjet të mira e më shumë.
Buletini Ekonomik
Punët rreth remontit kapital të bllokut A5 janë duke u realizuar sipas dinamikës së planifikuar, dhe tash për tash, nuk ka ndonjë vështirësi evidente në realizimin e planit të përcaktuar. Nëse ritmi i punëve rreth remontit të përgjithshëm të këtij blloku, i cili tash e një kohë të gjatë është jashtë prodhimit, vazhdon sikundër deri më tash, blloku A5 pritet të funksionalizohet diku kah mesi i muajit prill. Këtë e kanë pohuar sot (e premte, 17 mars 2023) zyrtarë të KEK-ut. Dhe, ky afat i finalizimit të të gjitha punëve rreth rivitalizimit të përgjithshëm të këtij blloku përputhet me parashikimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të bërë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kur rinisi remonti i këtij termocentrali, se “pritet që blloku A5 të rikthehet në punë prej datës 1 prill”.
Siç dihet, remonti kapital i kësaj njësie të Kosovës A, pas shtyrjes së disa afateve, ka filluar në fillim të këtij viti. Dhe që në nismë, nga inxhinierët dhe zyrtarë të KEK-ut është thënë se punët rreth remontit kapital të bllokut A5 të termocentraleve Kosova A, do të zgjasin diku rreth tre muaj. Funksionalizimi i A 5-shit, nëse arrihet në mesin e prillit, siç parashikojnë me bindje zyrtarët e KEK-ut do të bëhet pas një periudhe të gjatë të “pushimit” të kushtëzuar, për shkak të zvarritjeve me muaj të tërë të fillimit të remontit kapital.
Zyrtarë të KEK-ut i kanë thënë të premten Buletinit Ekonomik se të gjitha punët rreth remontit të përgjithshëm të bllokut A5 janë duke u realizuar sipas dinamikës së planifikuar dhe tash për tash nuk ka ndonjë vështirësi evidente në këto punë. Po punohet njëkohësisht edhe në remontin e turbinave, edhe në kalldajë, thanë ata. Remonti në turbinë, ka nisur më herët, dhe është duke avancuar edhe në punët remontuese. Ndërkaq, KEK-u ka nënshkruar kontratë paksa më vonë, ose saktësisht në fillim të shkurtit për riparimin emergjent të kalldajës së bllokut A5 të termocentralit “Kosova A”. Kontrata në vlerë 3 milionë e 495 euro është nënshkruar me Grupin e Operatorëve “Litwin SA & Bujar B. Shala B.I.”.
Sipas njoftimit, kohëzgjatja e kontratës është nga 25 janari deri më 31 mars 2023. Tenderi është nënshkruar përmes procedurës së negocuar me çmimin më të ulët si kriter për dhënien e kontratës. Kontrata është nënshkruar 9 ditë që nga shpallja e tenderit. Ndërsa, siç ka transmetuar Buletini Ekonomik, më 5 dhjetor të vitit të kaluar KEK kishte lidhur kontratë për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të këtij blloku. Përpjekja për remontin e Njësisë A5 kishte filluar që nga gushti i 2022. Tenderi me procedurë të hapur për remont kapital të njësisë A5, i shpallur në fund të muajit gusht kishte dështuar pasi nuk kishte pasur ofertues andaj tenderi i dytë ishte hapur me procedurë të negociuar.
Për remontin e njësisë A5, KEK-u ka shpallur dy tenderë dhe vetëm pas hapjes së tenderit me procedurë të negociuar ka arritur të nënshkruajë kontratë. Siç kanë njoftuar në KEK, punëkryesi i përzgjedhur i remontit të turbinës dhe gjeneratorit të A5-shit, Monting Energjetika, një kompani vendore së bashku me punonjës dhe ekspertë të General Electric-ut të mirënjohur dhe CERB-it nga Bullgaria dhe disa kontraktorë të tjerë, deri tash nuk kanë pasur ndonjë vështirësi gjatë punëve remontuese, që po zhvillohen saktësisht që nga 5 janari 2023.
Zhvillimet rreth remontit të këtij blloku dolën që në fillim më të ndërlikuara se sa mendoheshin (që më 19 korrik, kur A5 u tërhoq nga prodhimi me qëllim që të bëhet rehabilitimi i përgjithshëm i tij). Ndërkohë që insistimi, por as angazhimi në KEK për të gjetur një punëkryes serioz dhe të dëshmuar ndërkombëtar për ta bërë remontin kapital në A5, nuk ishte ai i duhuri. Është përfolur që në fillim se ka pasur edhe mosmarrëveshje evidente brenda stafit dhe organeve vendimmarrëse në KEK rreth rivitalizimit të kësaj njësie prodhuese. Disa inxhinierë të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë insistuar që fillimisht të hapet blloku me forca vetanake, për të parë saktësisht ku është defekti dhe çka ekzaktësisht pastaj duhet të rehabilitohet, ndërkohë që ka dominuar mendimi i të tjerëve se të gjitha punët (edhe hapjen e turbinës edhe kalldajës) t’i bëjë punëkryesi që do të angazohej në punët e remontit kapital. Dhe problemet lindën akoma pa ia nisur punëve.
Një kohë të gjatë, përkatësisht deri në muajin e fundit të 2022-tës, nuk u gjend një punëkryes ndërkombëtar që do të bënte këtë punë. Në këtë mënyrë, kjo njësi prodhuese, me kapacitet rreth 200 megavatë-orë energji elektrike në gjenerator është jashtë funksionit që nga 19 korriku i këtij viti. Kësisoj, në mungesë të energjisë elektrike të këtij blloku (në mënyrë konstante A5 –shi ka prodhuar së paku rreth 150 megavatë-orë energji elektrike), Kosova prodhoi minus së paku 150 megavatë-orë rrymë që nga korriku. Më konkretisht, po të futej në procesin e prodhimit blloku A5 i termocentraleve Kosova A, sipas parashikimeve të para të autoriteteve të KEK-ut, kjo njësi me goxha fuqi prodhuese (diku rreth 150 megavatë-orë në rrjet), kaherë do të ishte duke prodhuar dhe më së largu në fund të vitit 2022, ndërsa sistemi elektroenergjetik i Kosovës do të shtonte plus 150 megavatë-orë rrymë, ose prodhimi në termokapacitetet e vendit do të arrinte te afër një mijë megavatëshi. Por, për të arritur rikthimin e A5-shit në punë ka qenë e domosdoshme të realizohet remonti kapital i turbinës, gjeneratorit dhe kalldajës të kësaj njësie prodhuese, i planifikuar të nisë gjatë muajve të verës, punë këto që që nuk u përmbyllën gjatë 2022-tës, dhe që filluan më në fund në fillim të 2023-tëës.
Në fakt, remonti kapital i bllokut A5, në bazë të planifikimeve të mëhershme që bëhen në KEK për mirëmbajtjen e stabilimenteve dhe për rehabilitimin e tyre, ishte paraparë të bëhet që në muajt e verës të vitit 2021. Mirëpo, meqenëse më 2021 Qeveria aktuale kishte shpërfaqur edhe publikisht synimin për t’i rindërtuar tërësisht tri blloqet e termocentraleve “Kosova A” (bllokun A3, A4 dhe A5), pas analizave të ekipeve profesioniste të KEK-ut dhe sugjerimeve të ekspertëve, që meqenëse është paraparë si vizion rindërtimi i Kosovës A, pra edhe i bllokut A5, ishte vendosur me qëllim të racionalizimit të mjeteve financiare, që A5-shi të presë rindërtimin. Ishte rezonuar atëbotë në qarqet vendimmarrëse të KEK-ut se pse të shpenzohen para jo të pakta për remont kapital të A5-shit, kur Qeveria ka parashikuar rindërtimin e tërësishëm të këtij blloku. Thjesht, pse të shpenzohen dy herë para të mëdha për një qëllim. Dhe, meqenëse parashikimi i Qeverisë për të rindërtuar Kosovën A, më 2021 thuaja është harruar tashmë, edhe rindërtimi i A5-shit si vizion ishte anashkaluar si parashikim.
Në KEK kushtimisht iu rikthyen nevojës së domosdoshme për ta bërë remontin kapital në këtë njësi prodhuese në vitin 2022. Aq më parë, kur në këtë bllok dëgjohej një zhurmë jo e rëndomtë dhe që shqetësonte ekspertët. Inxhinierët në KEK, edhe ata me përvojë më të paktë, por edhe veteranët tashmë, kanë shpjeguar për Buletinin Ekonomik shkaqet, sipas tyre, reale, për vonesat e nisjes së punëve për rivitalizimin e A5-shit. Sipas ekspertëve në KEK, tenderi publik për të kërkuar një kompani që do të riparonte këtë njësi u bë më 10 qershor 2022.
Ftesa e korrigjuar publike për remontin e A5-shit: “Riparimi kapital i turbinës, gjeneratorit dhe kalldajës të Bllokut A5”, titullohej tenderi, ku ishin paraparë në një vend riparimi i turbinës dhe kalldajës (kazanit). Por, në këtë shpallje publike, praktikisht nuk është paraqitur asnjë pretendent për të bërë remontin kapital në A5-shit, sado që vlera e paraparë e tij ishte 6 milionë euro.
Njohësit e zhvillimeve energjetike, mendojnë se mbase fakti që në ftesën publike janë kërkuar punëkryes që do të bënin remontin e tërësishëm të këtij blloku, pra edhe remontin e turbinës, edhe të kalldajës dhe të stabilimenteve të tjera më pak komplekse, ka ndikuar në mosinteresimin e punëkryesve për të shfaqur interesim për t’u angazhuar në këtë remont. Dihet, remonti kapital në stabilimentet e termocentraleve të Kosovës, si në Kosovën A, ashtu edhe në Kosovën B, iu është besuar deri më tash ekskluzivisht kompanive të jashtme, më së shumti atyre polake që kanë përvojë të madhe në stabilimentet prodhuese të rrymës në bazë të qymyrit, por edhe kompanive të tjera të shumta nga bota, që kanë reputacion, dëshmi dhe besueshmëri që punën e bëjnë siç duhet. Kështu, KEK-u në njëfarë mënyre edhe i kushtëzuar, më 8 korrik 2022, kishte njoftuar për anulimin e këtij tenderi, thjesht për shkakun se siç është thënë “për riparimin e njësisë A5 nuk është pranuar asnjë ofertë”. Dhe, për të shpejtuar gjetjen e një punëkryesi të besueshëm dhe të dëshmuar për remontin e detajuar të A5-shit, në shtator KEK-u ka ndarë punët, për remontin e turbinës kishte vendosur të kërkojë punëkryes të veçantë, ndërsa për remontin e kalldajës, punëkryes tjetër të specializuar. Dhe, për remontin e turbinës dhe kalldajës veç e veç ka dërguar nga 5-6 ftesa te punëkryesit me reputacion, të njohur tashmë për këto punë anembanë Europës dhe më larg.
Kohë të gjatë u pritën ofertat e tyre, dhe inxhinierët e KEK-ut shpresuan se më në fund do të vendosej se kujt do t’i besohet remonti kapital në turbinë dhe kujt në kalldajën e bllokut A5. Sidoqoftë, sipas inxhinerëve të KEK-ut, në gjysmën e dytë të prillit, përkatësisht kur të finalizohet remonti i shumpritur i këtij blloku, duhet shpresuar se Kosova do të ketë plus 150 megavatë energji elektrike nga kapacitetet prodhuese vetanake. Sepse, rifreskimi i bllokut A5 në nivelin e remontit kapital, do të sigurojë funksionimin e mirë dhe pa telashe të tij për 4 vjet të mira e më shumë. Dhe ky fakt do të thotë se në rrethana normale dhe pa ndonjë defekt teknik të papritur, Kosova për kaq vite do të ketë 150 megavatë plus nga termocentralet vendore. /Buletini Ekonomik/