Disa organizata të shoqërisë civile, u janë drejtuar sot me një letër avokimi deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale në Kosovë.
Këto organizata kanë bërë thirrje që deputetët ta shtyjnë përpara këtë proces, duke e votuar sa më parë Ligjin e ri për pagën minimale.
Sipas tyre, është përgjegjësi e institucioneve publike të marrin masa e sjellin vendime të cilat e rrisin mirëqenien e dinjitetin njerëzor të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Si rrjedhojë, paga e dinjitetshme dhe puna e dinjitetshme janë një prej faktorëve kryesor që ndikojnë në mirëqenie.
Letra e plotë:
Letër Avokimi -Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Maj
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Ne, organizatat e poshtëshënuara të shoqërisë civile, Ju drejtohemi për çështjen urgjente të Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale në Kosovë. Ky Projektligj ka ngecur që nga qershori i vitit 2022, që nënkupton se e ka tejkaluar afatin procedural kur do të duhej të hidhej në votim të dytë.
Duhet theksuar se niveli i pagës minimale sot në Kosovë, i caktuar për herë të parë dhe të fundit në vitin 2011, nuk është as për së afërmi në përputhje me zhvillimet ekonomike, e veçanërisht me rritjen galopante të inflacionit gjatë vitit të kaluar, rritje kjo që po vazhdon edhe këtë vit. Kjo e ka vështirësuar jetën e qytetarëve, sidomos ata që jetojnë në varfëri. Po ashtu Kosova sot e ka pagën më të ulët minimale në rajon, duke e pasur parasysh se të gjitha vendet e rajonit tashmë kanë marrë masa e vendime që e kanë rritur pagën minimale.
Projektigji i propozuar për pagën minimale është një hap drejt garantimit që të gjithë punëtorët në Kosovë të paguhen me një pagë më të drejtë dhe që reflekton koston e jetesës. Ndonëse i pamjaftueshëm, ky ligj do të ofrojë lehtësim shumë të nevojshëm për punëtorët me paga të ulëta për ta përballuar jetesën, si dhe do të ndihmojë në uljen e varfërisë dhe pabarazisë.
Përkundër shqetësimeve se paga minimale mund të ketë ndikim negativ në konkurrueshmërinë e bizneseve, hulumtimet dhe përvojat e shumë ekonomive kanë dëshmuar se bizneset në të vërtetë përfitojnë nga rritja e pagës minimale, meqë kjo e rrit produktivitetin e punëtorëve të tyre, e rrit konsumin e përgjithshëm shoqëror, si dhe e redukton braktisjen e vendeve të punës nga punëtorët gjë që e stabilizon biznesin në përgjithësi. Shtoja këtu edhe përballjen me problemin akut në Kosovë e rajon – migrimin fenomen ky që drejtpërdrejt po i godet dhe do t’i godas bizneset e Kosovës përmes mungesës së fuqisë punëtore.
Ne konsiderojmë që është përgjegjësi e institucioneve publike të marrin masa e sjellin vendime të cilat e rrisin mirëqenien e dinjitetin njerëzor të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Paga e dinjitetshme dhe puna e dinjitetshme janë një prej faktorëve kryesor që ndikojnë në mirëqenie. Prandaj edhe Ju bëjmë thirrje që të votoni pro ligjit të ri për pagën minimale. Kësisoj, Ju do të ndërmerrni një hap të rëndësishëm drejt promovimit të drejtësisë sociale dhe barazisë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Faleminderit për përkushtimin Tuaj për këtë çështje urgjente.
27 Prill 2023, Prishtinë
Sinqerisht,
Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari
Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të IPKO
Sindikata e Punëtorëve të Aeroportit Limak Kosova
Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës
Advocacy Training & Resource Center – ATRC
Community Development Fund – CDF
Green Energy Kosova
Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS
Instituti Cilësor për Hulumtime dhe Trajnime – iCHat
OJQ Gruaja Hyjnore
OJQ LENS
OJQ Zana
Qendra Kosovare për Studime Gjinore – QKSGJ
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë – KCSS
Qendra për Politika dhe Avokim – QPA
QIKA
Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës – RrGGK
Sbunker
Women 4 Women – W4W