Ministrja Rizvanolli tha se janë krijuar kushte të përshtatshme për investitorët si vendës ashtu edhe të huaj, për ndërtimin e këtij parku që sipas përllogaritjeve do të ketë mundësi të furnizojë me energji elektrike rreth 20 mijë familje.
Ajo i bëri këto komente në hapjen e ankandit të parë të Kosovës për një park të energjisë diellore me kapacitet prej 100 megavatësh.
“Jemi siguruar të ofrojmë një sërë përparësish kritike përfshirë identifikimin dhe sigurimin e tokës së përshtatshme, çmimin e garantuar të blerjes dhe procedura të thjeshta administrative. Përtej kritereve teknike e mundësive të investimit, kemi plotësuar të gjitha kushtet që kompanitë të cilat duan të investojnë në Kosovë të kenë një partner serioz, të drejtë e transparent”, tha zonja Rizvanolli duke nënvizuar se “ky rezultat vjen falë bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet qeverisë së Kosovës me një ndër partnerët tanë thelbësor zhvillimor – USAID, kontributi i të cilit është i pazëvendësueshëm për sektorin tonë të energjisë dhe më tej”.
Ndryshe, Ministria e Ekonomisë ka shpallur ankandin “Procesi konkurrues për dhënien e çmimit të garantuar të blerjes për energjinë e prodhuar nga një central solar fotovoltaik (FV) prej 100 MW, i cili do të ndërtohet në pronë publike”.
Centrali solar fotovoltaik do të ndërtohet në zonën kadastrale të Kramovikut dhe Petkoviqit në Komunën e Rahovecit, e cila do t’i jepet me qira ofertuesit të përzgjedhur për një periudhë jo më të shkurtër se 30 vjet.
Marrëveshja për blerjen e energjisë do të lidhet për një periudhë prej 15 vitesh me operatorin e tregut, i cili garanton blerjen e detyrueshme të energjisë elektrike të prodhuar.