Javën e kaluar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është emëruar sekretarja e re e Ministrisë së Drejtësisë. Në këtë mbledhje, ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se në listën e ngushtë kishin hyrë vetëm dy kandidate.
Fjala ishte për Anita Kalanderin dhe Flutura Zenën. Me propozimin e Sveçlës, në pozitën e Sekretares së Përgjithshme ishte emëruar Anita Kalanderi.
Megjithatë, emërimi i Kalanderit po del se nuk është në përputhje me vlerësimin me ekspertët britanikë që e kanë bërë gjatë këtij procesi.
Në vlerësimin e Ambasadës së Britanisë në Kosovë, kandidatja që fitoi më së shumti pikë nga konkursi ishte Flutura Berbati-Zena e jo Anita Kalanderi, raporton Nacionale.
Vlerësimi i britanikëve ia dha 78.9 pikë Flutura Berbati – Zenës kurse Anita Kalanderi u vlerësua me 75.6 pikë. Pra, kandidatja që u vlerësua me më shumë pikë nga ekspertët britanikë, nuk u përzgjodh nga Qeveria e Kosovës.
Ky nuk është rasti i parë ku pushteti nuk e ka përfillur absolutisht vlerësimin e Ambasadës së Britanisë në Kosovë.
Një rast eklatant ishte me zgjedhjen e Venera Çerkinit në pozitën e Drejtoreshës në Agjencinë për Zhvilimin e Bujqësisë. Në këtë konkurs, Nacionale kishte raportuar se në vlerësimin e britanikëve Çerkini nuk e kishte kaluar as pragun për t’u vlerësuar. Megjithatë, kjo nuk e ndali pushtetin që ta emërojë tezaken e presidentes në ministrinë e Faton Pecit.
Një tjetër rast tejet medial ku ambasada e Britanisë doli e zhgënjyer, ishte konkursi për guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës.
Pasi konkursi i parë u anulua pa asnjë lloj vendimi zyrtar nga Kuvendi i Kosovës, Ambasada e Britanisë u tërhoq nga gjithë monitorimi i këtij konkursi të dytë. Kështu kishin bërë të ditur për gazetën Nacionale.
“Ne kemi qenë të angazhuar në procesin e parë rekrutues për Guvernator të Bankës Qendrore. Ky proces ka dhënë kandidat profesionist, të aftë për të udhëhequr me pozitën. Sidoqoftë asnjëri nga kandidatët e rekomanduar nga ekspertët britanik zbatues të projektit nuk është emëruar”, thuhet fillimisht në përgjigjen e ambasadës së Britanisë për Nacionalen.
“Është politikë e jona që mos të angazhohemi në procese të ri-shpallura të cilat përkundër që japin kandidatë të emërueshëm, nuk emërohen vetëm sepse ata kandidatë nuk i pëlqejnë dikujt në vendimmarrje. Por ne nuk kemi qenë të përfshirë në monitorimin e procesit për Guvernator të Bankës Qendrore.”, përfundon përgjigja.
Qeveria nuk e kishte përfillur Ambasadën e Britanisë as për emërimin e bordit të “Ibër-Lepencit”. Në këtë kompani më pas, ishte emëruar kryeshef Faruk Mujka i Vetëvendosjes.
Pushteti nuk e kishte përfillur vlerësimin e britanikëve as në përzjgedhjen e Kryeshefit të Telekomit. Në këtë procedurë, britanikët e kishin përzgjedhur si të duhur Kreshnik Domin, kurse qeveria e emëroi Burbuqe Hanën, e njohur për afërsinë me pushtetin.