Burimet e Ripërtëritshme marrin hov në Ballkanin Perëndimor

Në muajt e fundit, disa vende në rajon kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt përshpejtimit të tranzicionit të tyre drejt energjisë së gjelbër. Përhapja e ankandeve për projektet e energjisë së ripërtëritshme në shkallë të gjerë ka qenë thelbësore për këtë.

Shqipëria sapo ka publikuar fituesit e ankandit të saj të parë me erë, pas dy ankandeve të suksesshme diellore. Ajo gjithashtu ka shpallur një ankand të ardhshëm FV diellor prej 300 MW. Kosova ka lansuar ankandin e parë solar me 100 MW.

Reklama e sponzorizuar

Në qershor, Serbia njoftoi fillimin e raundit më të madh të ankandeve në rajon – 450 MW kapacitet gjenerues të erës dhe diellit – së bashku me një plan trevjeçar për ankande me një kapacitet total shtesë në 1,300 MW, raporton Balkan Green Energy News.

Këto hapa janë kritikë për një rajon në të cilin sektori i energjisë po përballet me disa sfida urgjente. Ka pasur pak investime në kapacitetin e prodhimit të energjisë që nga fundi i viteve 1980.

Rajoni në tërësi është i varur në masë të madhe nga qymyri. Burimi tjetër i tij kryesor i energjisë – hidroenergjia – është gjithnjë e më i prekshëm ndaj ndryshimeve klimatike.

Një numër vendesh të Ballkanit Perëndimor varen kryesisht nga importet e shtrenjta të energjisë elektrike. Kriza energjetike e shkaktuar nga lufta në Ukrainë ka nënvizuar ashpërsinë e situatës, duke nxjerrë në pah dobësitë strukturore.

Për më tepër, politikat e veprimit të Bashkimit Evropian për klimën përfaqësojnë një shtytës shtesë – për shembull, Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit të Karbonit do të ndikojë në konkurrencën e rajonit.

Këto veçori nënvizojnë arsyetimin për kalimin e shpejtë drejt sistemeve të sigurta, të pastra dhe të integruara të energjisë. E parë në këtë kontekst, nisja e ankandeve në rajon është edhe më e rëndësishme. Dhe rezultatet tregojnë se çfarë mund të arrihet: ankandi i parë në Shqipëri dha çmimin më të ulët për energjinë diellore në Ballkanin Perëndimor 2,489 cent/kWh. Si dhe çmimin më të ulët për parkun e erës në 4.48cent/kWh.

Rritja e investimeve në burimet e ripërtëritshme varet nga një kombinim faktorësh. Në radhë të parë, angazhimi politik: dueht një sinjal për tregun se e ardhmja e sektorit të energjisë është energjia e ripërtëritshme.

Ky lloj sinjali mund të jetë: caktimi i objektivave të burimeve të ripërtëritshme, oraret për ankande, datat për heqjen e qymyrit dhe/ose objektivave afatgjatë të ekonomisë për arritjen e emetimeve neto zero.

Angazhimet e politikave duhet të shoqërohen me rregullore që mundësojnë zhvillimin e bizneseve: një kuadër ligjor dhe institucional gjithëpërfshirës që balancon rreziqet ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.

Një reformë kryesore është futja e një kuadri për ankande të dizajnuara mirë. Ndryshe nga përzgjedhja e drejtpërdrejtë ose ofrimi i pagesave mbështetëse të përcaktuara në mënyrë administrative, ankandet çojnë në transparencë dhe stimulojnë sektorin privat për të ofruar energji elektrike me çmime të ulëta për përdoruesit përfundimtarë.

Qëllimi i një ankandi të projektuar mirë është të maksimizojë grupin e ofertuesve të besueshëm.

E ardhmja…

Rritja e shpejtë e burimeve të rinovueshme është vetëm hapi i parë drejt përshpejtimit të tranzicionit. Do të nevojiten një sërë hapash të mëtejshëm. Ankandet do të mbeten një mjet i rëndësishëm. Por ato do të duhet gjithashtu të plotësohen nga mekanizma të tjerë – për shembull, Marrëveshjet e Blerjes së Energjisë nga Korporatat dhe BRE-të të shpërndara në shkallë të vogël.

Së dyti, integrimi i burimeve të ripërëtritshme me ndërprerje është një sfidë kritike. Këtu, vendet do të duhet të investojnë në rrjete, të forcojnë ndërlidhjen rajonale, të sigurojnë lidhjen e tregjeve të energjisë elektrike – si brenda rajonit ashtu edhe me vendet fqinje – të tërheqin investime në zgjidhje fleksibiliteti për të menaxhuar balancimin dhe të vendosin korniza për të siguruar investime në rezerva .

Së fundi, por në mënyrë thelbësore, ekziston nevoja për të menaxhuar ndryshimet e thella socio-ekonomike që do të sjellë tranzicioni i energjisë – veçanërisht efektet në komunitetet që varen nga qymyri për jetesën e tyre.
//Balkan Green Energy News