Dokumenti që dëshmon se Ujmani është ndërtuar me para të Kosovës

Me marrëveshjen e nënshkruar në Washington Serbia është bërë ‘hisedare’ në Liqenin e Ujmanit, kjo pasi Kosova është pajtuar për përdorim të përbashkët të tij.

Mirëpo liqeni më i madh në Kosovë është ndërtuar tërësisht nga paratë e qytetarëve të Kosovës.

Enver Ferati, ka shpërndarë në rrjetin e tij social facebook, dokumentin i cili dëshmon së kush e ka ndërtuar dhe pronë e kujt është Liqeni i Ujmanit.

Reklama e sponzorizuar

Në vitin 1972, Kuvendi i Kosvovës në atë kohë kishte marrë kredi në Bankën Botërore (BB) prej 45 milionë dollarëve për ndërtimin e këtij liqeni.

“Dokumenti, kush e ka ndertuar dhe pronë e kujt është Liqeni i Ujmanit (Gazivoda) – Kredia e Bankës Botërore në vlerë prej 45 mio. $ e marrë në vitin 1972 – Garant i kredisë Kuvendi i Kosovës”, thuhet në postimin e Feratit.

Ndryshe, Liqeni i Ujmanit (Gazivodës) gjendet në territorin e Republikës se Kosovës dhe është ndërtuar me fonde të Buxhetit të Kosovës. Liqeni i Ujmanit vlerësohet një ndër pasuritë e Kosovës, i cili shtrihet në veri-perëndim të vendit, konkretisht në Komunën e Zubin Potokut, komunë kjo e banuar më shumicë serbe. Penda e Ujmanit është ndërtuar midis viteve 1979-1984.

Liqeni i Ujmanit është më i madhi në Kosovë me sipërfaqe prej 11.9 kilometra katrorë dhe 370 milionë kub ujë. Hidrocentrali prodhon 35 megaëatt për orë energji elektrike, kurse kanali Ibër Lepenc është 49 kilometra i gjatë.

Uji nga ky liqen artificial përdorët për ftohje të termocentraleve në Obiliq, për furnizim me ujë për disa komuna si dhe për ujitje në disa rajone të Kosovës. Në rast të thatësisë si ajo e vitit 2014 uji nga Ujmani përdoret për mbushje të dy liqeneve afër Prishtinës, atij të Batllavës dhe Badovcit.

Ky liqen menaxhohet nga ndërmarrja hidroekonomike “ Ibër Lepenc” me seli në Prishtinë, në pronësi të Qeverisë së Kosovës. Në anën tjetër, në Zubin Potok ka një ndërmarrje në pronësi të Serbisë e cila quhet “Ibar” dhe është themeluar në vitin 2002. /Buletini Ekonomik/