Gjendja aktuale në Kombinatin metalurgjik “Trepça” është mjaft e rëndë. Ajo po manifestohet edhe me rënie të mëdha të prodhimit. Kështu tha për Radio Kosovën ushtruesi i detyrës së drejtorit të Ndërmarrjes “Trepça”, Miftar Hyseni. Sipas tij, ulja e prodhimit është pasojë e moszbatimit të Ligjit për Trepçën, mungesës së investimeve dhe moshës së shtyrë të punëtorëve.
Gjiganti i dikushëm metalurgjik “Trepça dy vite më parë i shpëtoi falimentimit, pas miratimit të Ligjit për të në Kuvendin e Kosovës.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Ndërmarrjes “Trepça”, Miftar Hyseni, tregon për Radio Kosovën se sa tonelata me xehe e koncentrat nxorën minatorët këtë vit, deri në fund të muajit tetor.
“Këtë vit, krahasuar me vitet e kaluara, janë prodhuar 8 mijë e 954 tonë koncentrat, apo 82% e prodhimit të vitit të kaluar, ndërsa sa i përket xehes, më 2017-ën janë prodhuar 154 mijë e 884 tonë xehe, ndërsa këtë vit vetëm 132 mijë e 496 tonë xehe”, tha ai.
Përveç moszbatimit të ligjit, sipas Hysenit, janë edhe disa faktorë të tjerë të cilët bën që “Trepça” të prodhojë më pak këtë vit.
kryesorë të prodhimit në “Trepçë” janë minatorët e moshës mbi 60 vjeç. Kjo nuk është normale dhe nuk ndodh thuaja askund në botë. Nuk do të ketë ndonjë rritje të prodhimit pa u bërë punësimi i fuqisë punëtore të re, furnizim me pajisje të reja për minierë dhe pa u zgjidhur statusi i punëtorëve të moshuar”, tha Hyseni.
Përveç rënies së prodhimit, shqetësuese për ushtruesin e detyrës së drejtorit të Ndërmarrjes “Trepça” është edhe shitja e xeheve si gjysmëprodukte, si dhe mungesa e investimeve. Hyseni kërkon nga shteti më shumë investime në gjigantin metalurgjik të Kosovës.
“Nëse kjo “Trepçë” ka qenë shtyllë ekonomike e ish Jugosllavisë 20 milionëshe, e që është e vërtetë se ka qenë, atëherë pse të mos jetë shtyllë kryesore ekonomike e Kosovës 2 milionëshe?! Po për këtë, shteti duhet të bëjë investime në “Trepçë”, të bëjë programe dhe të ketë një qasje serioze e pa ndikime politike”, pohoi ai.
“Trepça” në vazhdimësi, që nga paslufta, është ballafaquar me probleme të shumta përfshirë edhe mungesa e investimeve. Ndërkohë ka pësuar edhe rënie të prodhimit që nga viti 2014 kur arriti rekordin e prodhimit me 18 mijë tonë koncentrate dhe 204 mijë tonë xehe.