Shumica e deputetëve të Kosovës s’i kanë kthyer laptopët e kuvendit

Kuvendi i Kosovës

Ish-deputetët e Legjislaturës së VI-të të Kuvendit të Kosovës, me përjashtim të kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve, janë obliguar që t’i kthejnë laptopët që ua ka dhënë administrata e Kuvendit.

Vendimin për kthimin e tyre e ka marrë kryeparlamentari në detyrë, Kadri Veseli, më 27 gusht.

Ndonëse në bazë të atij vendimi, afati për kthimin e laptopëve ka qenë deri më 10 shtator, vetëm një numër i vogël i deputetëve i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për kthimin e tyre.

Reklama e sponzorizuar

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka konfirmuar për AktivPress se deri të mërkurën pasdite janë kthyer gjithsej 24 laptopë.

Nisur nga fakti që Kuvendi i Kosovës i ka 120 deputetë, i bie që 96 laptopë nuk janë kthyer ende.

“Deputetët kanë qenë të njoftuar me kohë që laptopët duhet të kthehen pas përfundimit të mandatit”, ka thënë Krasniqi.

Pos për laptopët, Veseli ka marrë vendim edhe për veturat zyrtare që kanë qenë në shfrytëzim nga Grupet Parlamentare.

Në bazë të vendimit, grupeve parlamentare u është lënë mundësia që të merren vesh me KQZ-në që përmes saj t’i paguajnë qiratë e veturave në shfrytëzim, në të kundërtën t’i kthejnë ato në Agjencinë Qendrore të Prokurimit.

Të gjitha grupet parlamentare megjithatë i kanë kthyer veturat.

Kështu pohon për AktivPress, sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.

Deputetët dhe Grupet parlamentare në përgjithësi janë obliguar që deri më 10 shtator t’i lirojnë edhe hapësirat që i kanë shfrytëzuar për punë në Kuvend.

Deputetët e Legjislaturës së Gjashtë e kanë përfunduar para kohe mandatin, dhe për rrjedhojë 6 tetori është përcaktuar si datë e zgjedhjeve të parakohshme.

Shumica prej tyre sërish kërkojnë besimin e qytetarëve për t’u kthyer në Kuvend, dhe gjatë gjithë kohës thirren në luftimin e korrupsionit dhe ruajtjen e pasurisë publike.

Se a kanë përnjëmend atë që e thonë, flet më së miri moskthimi i laptopëve.