Punëtorët e Telekomit kërkojnë 20 % të aksioneve dhe mos t’i ulen pagat

Bordi i Telekomit të Kosovës ditë më parë mori vendim për uljen e pagave të punëtorëve të kësaj ndërmarrje prej 10 deri në 20 përqind. E një vendim i tillë ngjalli pakënaqësi tek sindikata e punëtorëve të kësaj ndërmarrje, e cila po beson që ky vendim do të pezullohet.

Kryetari i Federatës Sindikale të Pavarur të Telekomit të Kosovës, Lami Balaj tha se në takimin që zhvilluan me bordin javën e kaluar kanë kërkuar pezullimin e këtij vendimi.

Sipas tij, deri te vendimi për uljen e pagave erdhi për shkak të rënies drastike të të hyrave, kryesisht për shkak të deklarimeve të zyrtarëve institucional që Telekomi i Kosovës është buzë falimentimit.

Reklama e sponzorizuar

Balaj për KosovaPress, ka thënë se pezullimin e vendimit e kanë kërkuar deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Pagave, vendim ky i cili pritet të jepet deri në fund të marsit.

Derisa thotë se nuk është as në vullnetin e bordit të Telekomit që të ulen pagat e punëtorëve, Balaj shprehet optimist që ky vendim do të pezullohet.

Në takimin me bordin e Telekomit, kryesindikalisti i punëtorëve të Telekomit, tha se kanë kërkuar një harmonizim të sektorëve në aspektin e gradave.

Sipas tij, në rast të mospezullimit të vendimit, pagat me 10 përqind zbritje është paraparë t’i marrin të gjithë punëtorët me kontrata të përhershme, ndërsa stafi menaxherial që ka kontrata të përkohshme, do ketë zbritje të pagave prej 20 për qind.

Duke shprehur pakënaqësinë rreth mospërkrahjes së Qeverisë së Kosovës për këtë ndërmarrje, Balaj deklaroi se nëse kërkohet që borxhet e Telekomit të paguhen nga punëtorët e kësaj ndërmarrje, atëherë ata do e kërkojnë 20 përqind të aksioneve të kësaj ndërmarrje me krijimin e qeverisë së re.

Balaj për KosovaPress ka deklaruar se si sindikatë do i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e negocimit me qëllimi që të pezullohet vendimi për uljen e pagave të punëtorëve të Telekomit të Kosovës.

Kryetari i Federatës Sindikale të Postës dhe Telekomit të Kosovës, Lami Balaj për KosovaPress, foli edhe rreth telasheve të mëdha në ofrimin e shërbimeve telefonike të kësaj ndërmarrje telefonike në Kosovës.

Për çka tha se për shkak të mos investimit ndër vite në shërbimet e mirëmbajtjes, janë shkaktuar telashe edhe në ofrimin e shërbimit për konsumatorët e Valës, por që sipas tij, së shpejti  do zgjidhjet edhe ky problem, pasi janë afër nënshkrimit të marrëveshjes për mirëmbajtje të pajisjeve me kompaninë Nokia.

Vendimin për ulje të pagave të punëtorëve prej 10 deri në 20 përqind, bordi i Telekomit të Kosovë e bëri të ditur përmes një emaili më datën 3 janar të këtij viti. /KosovaPress/