Edhe një kompani paralajmëron arbitrazh për Kosovën

Kompania “Matkos Group HC VIQA”, ka paralajmëruar se do ta dërgojë Kosovën në Arbitrazhin e Londrës, nëse edhe më tej vazhdon t’i shkaktohen pengesa në investimet e nisura energjetike në Kosovë.

Kjo, kompani që ka ndërtuar disa hidrocentrale dhe është në proces të ndërtimit të një të tilli në fshatin Biti të Shtërpcës, ka reaguar pas deklaratave publike të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli dhe zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Avi Zogiani.

“Ne jemi në finalizim të projekteve investive në fushën e hidro energjisë, ku tashmë shuma e investimeve ka arritur vlerën prej 25 milion eurove në lumin Lepenc në Komunën e Shtërpcës”, thuhet në reagimin e kësaj kompanie.

Reklama e sponzorizuar

“Jemi njoftuar me vizitën e deputetes, Fitore Pacolli dhe zëvendësministrit, Avni Zogiani në Fshatin Biti e Poshtme, Komuna e Shterpcës,në pjesën ku janë duke u bërë punimet e projektit Hidro Energjetik ‘Matkos Group HC VIQA’, dhe po ashtu përgjatë vizitës dhe komunikimit me banorë, kemi kuptuar se deputetja Pacolli, dhe zëvendësministri Zogiani u kanë thënë banorëve kinse ‘ne nuk posedojmë lejet adekuate. Ne i kemi të gjitha lejet dhe licencat e nevojshme për të investuar, ndryshe nuk do të investonim mbi 25 milionë euro pa pasur leje e licenca”, thuhet në reagim.

“Matkos Group HC VIQA”, pjesë e të cilës është edhe një kompani amerikane, është thirrur në Ligjin për Investime të Huaja, i cili parasheh Arbitrazhin e Londrës si pjesë e zgjedhjes së mosmarrëveshjeve.

“Ne jemi të mbrojtur, ku në rast të pengesave që mund të paraqitin nga secila palë dhe secili organ, kemi të drejtën ligjore për të kërkuar dëmshpërblim në Arbitrazh. Për më tepër ju njoftoj se projektet janë të pajisura me te gjitha lejet e leshura nga institucionet e Republikës se Kosovës tash e 8 vjet dhe njëkohësisht ju njoftoj se kemi të nënshkruar edhe Marrëveshjet për blerje të energjisë. Neni 44 i kësaj marrëveshje garanton se në rast të mosmarrëveshjeve dhe pengesave eventuale, e gezojmë të drejtën për t’iu drejtuar Arbitrazhit në Londër për të kërkuar dëmshpërblim dhe fitimin e humbur”, thuhet në reagim.

Ky reagim ka ardhur pas deklaratave të së martës së Zogianit dhe Pacollit.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Avni Zogiani, bashkë me deputeten e LVV-së, Fitore Pacolli, kanë vizituar zonën ku po zhvillohen punimet për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Lepenc në Biti të Poshtme.

Zv/ministri Zogiani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “zëri i ekspertëve dhe i banorëve nuk është dëgjuar mjaftueshëm dhe projektet mund të kenë ndikim shumë më të madh socio-mjedisor se që është pretenduar në studimet e bëra nga konsulencat e njëanshme të angazhuara për këto projekte.

“Studimet fillestare dyshohet se janë bërë pro-forme dhe nuk kanë marrë seriozisht mundësinë e ndikimit në jetën e habitateve dhe të njerëzve në këto zona. Prandaj, ne iu premtuam banorëve të Bitisë se do t’i rishikojmë projektet e tilla”, ka thënë Zogiani.

Ndërsa deputetja Pacolli, po ashtu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se banorët janë njoftuar se “Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka filluar të gjitha procedurat për pezullim të menjëhershëm të punimeve deri në shqyrtimin e plotë të situatës”.

“Ka 5 vjet që banorët kanë protestuar e përpjekur, i madh e i vogël, që të bllokojnë punimet që kanë degraduar lumin dhe mjedisin përreth. E shumë banorë vazhdojnë të pranojnë fletëthirrjet nga policia për pengesat që ia kanë bërë kompanisë. Ata për kaq vite nuk kanë kaluar një ditë apo një natë të qetë pa u frikësuar se një ditë lumi që është vet jeta e tyre nuk do të ekzistonte më. Por tani gjërat kanë ndryshuar. E lumtur që kërkesat e brengat e qytetarëve tani kanë adresë. E ne deputetët do ta kemi shumë më lehtë ta bëjmë punën tonë”, ka thënë Pacolli.

Kompania, “Matkos Group HC VIQA”, ka thënë se posedon licencat adekuate nga gjitha institucionet.

Kësisoj, ka demantuar deklaratat e Zogianit dhe Pacollit.

“Me duhet t’ju njoftoje se studimet e fizibiliitetit që ne kemi bërë janë kryer nga studio profesionale me renome rajonale dhe më gjerë. Përmes këtyre studimeve kemi realizuar edhe fonde investive nga Bankat Komerciale dhe kanë kaluar nivelin e studimeve profesionale në mekanizma evropian siç është GIEK nga Norvegjia”, thuhet në reagim.

“Përsa i përket verifikimit të lejeve, ne si kompani kemi kaluar filtra inspektuese nga Agjencitë shtetërore siç janë Krimet ekonomike, Krimet e rënda të cilat kanë bërë bashkë hetime në terren së bashku me Inspektoratin e MMPH-se, dhe se fundmi është iniciuar hetim edhe nga Task Forca. Të gjitha këto hetime kanë konkluduar se ne posedojmë të gjitha lejet adekuate dhe konform ligjeve dhe rregulloereve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.