Deputeti i Nismës, Fatmir Limaj ka dhënë disa sugjerime, sipas tij, për mandatarin Albin Kurtin, raporton Gazeta Express.
“Sot është dita e parë e fillimit të funksionimit të institucioneve dhe sigurisht do të kemi rast të mjaftueshëm që secili të mbrojë qëndrimet e veta, po fillojmë sot ma tepër me disa sugjerime për mandatarin, kemi me pas kohë të mjaftueshme me kritiku”, ka thënë Limaj, teksa ka treguar edhe sugjerimet që ka për Albin Kurtin.
“E para mandatari sygjerimi im për mandatarin është me ul pak kokën, me ul kokën edhe me nis me u sjell si kryeministër i Kosovës, me ul kokën edhe me ja nis me punu, si burrështetas me ja nis me i shërby vendit.
Mandatari në mënyrë të veçante ka shumë punë, për dallim nga mandatarët e kaluar, për faktin se s’ka qenë thjesht një opozitar, ka qenë më tepër, ka qenë me të kaluarën nuk e ka kursyer veprimin dhe gjuhën deri në ndarje përçarje dhe urrejtje.
Duhet të jesh i kujdesshëm për fjalët që i thua dhe sjelljet sepse ato nuk harrohen, ato çojnë mesazhe”, thotë ai.
Limaj shton se Albin Kurti ka shumë punë dhe duhet të ndryshojë.
“Albini ka shumë punë për t’i përmirësuar për të ndryshuar prej Albini i opozitës, dhe ne askujt nuk mund t’ia marrim të drejtën për të ndryshuar, ama Albini ka shumë punë, duhet njerëzve vetë të ju ndërpres gjuhën e urrejtjes siç kemi parë e ka vazhduar edhe mas zgjedhjeve.
Historia e Kosovës duhet ta dijë VV nuk fillon me juve, nderoni dhe respektoni ata njerëz dhe atë të kaluar të mirë”, tha ai.
Ai tha se do ta përshëndes çdo punë të mirë në Kosovë, sepse Limaj thotë se çdo punë e mirë i shërben Kosovës.
“Arrogancën hiqne, ja kam pas thënë në mandatin e kaluar një shumice të madhe, juve ka me ju rrëzu arroganca juaj dhe ashtu ka ndodhë, nisja me shëru urrejtjen që e keni mbjellë te qytetarët”, deklaroi Limaj.