Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka bërë të ditur përmbajtjen e letrës që ia kishte dërguar kryeministrit Kurti më 16 mars, ku bashkë me zëvendëskryeministrin Hoti dhe kryeparlamentaren, Vjosa Osmani, Mustafa thotë se ia bënë me dije Kurtit se mosheqja e tarifës dhe ashpërsimi i marrëdhënieve me SHBA-të do ta sjellë në pikëpyetje koalicionin VV-LDK.
Mustafa ka thënë se ia ka bërë të qartë Kurtit se nëse taksa nuk hiqet, posa të kapërcehet situata me koronavirusin, si LDK do të detyrohet të largohet nga koalicioni
Ai ka thënë se pret nga Kurti që ta heq taksën, t’i kërkojë falje LDK-së si dhe ta anulojë vendimin për shkarkimin e Veliut.
Për gjithë këtë ai thotë se përgjigjen e mori me shkarkimin e Agim Veliut.
Mustafa ka konfirmuar pakënaqësitë përbrenda LDK-së lidhur me rrëzimin e Qeverisë duke i pyetur ata deputetë që dolën kundër se çfarë vendimi tjetër do të duhej të merrte LDK, kur siç ka thënë ai kaq keq injorohet dhe poshtrohet nga Kryeministri i vendit?
“Pyes, juve qytetarë të nderuar, edhe disa nga juve perfaqësues të korit diplomatik, por edhe dy tre deputetë të LDK-së: A është ky veprim i drejtë i Kryeministrit tonë?
A flet ky veprim se Kryeministri Kurti është i përkushtuar ta ruaj koalicionin dhe ta luftojmë bashkërisht Virusin Corona?
Ju pyes, çfarë vendimi tjetër do të duhej të merrte LDK, kur kaq keq injorohet dhe poshtrohet nga Kryeministri i vendit?”, ka shkruar ndër të tjera Mustafa.