Aneksi 6 i kontratës bazë i nënshkruar më 27 shkurt, vetëm pak ditë pas shkarkimit të Bordit, i jep pozitë akoma më të mirë kompanisë AdvanTech në raport me Telekomin.
Shkruan: Agon Sinanaj
Një aneks i kontratës bazë mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë AdvanTech, i ka krijuar favore shtesë kompanisë nga Shqipëria, të cilës iu dhanë në fillim të këtij viti nën menaxhim të gjitha shërbimet televizive nëpërmjet internetit të VALA-s.
Me kontratën bazë, kompania merr 60 për qind të të hyrave për shërbimet e kryera, kurse Telekomi 40 për qind, ani pse infrastruktura dhe klientela është e Telekomit. Kjo ndarje e tregut në favor të kompanisë është cilësuar skajshmërisht e dëmshme nga ekspertët e angazhuar nga Bordi i ri i ndërmarrjes.
“Ndarja e të hyrave që tejkalon 15% për kompaninë dhe nuk sjell 85% për Telekomin nuk është një marrëveshje e mirë”, thuhet në dokumentin e ekspertit që i është prezentuar Bordit.
Mirëpo, krahas kontratës bazë, nga menaxhmenti i kaluar në krye me Bedri Istrefin, u nënshkruan edhe disa anekse, të cilat dyshohet se krijuan favore shtesë për Advan-Tech.
Aneksi 6 i kontratës i nënshkruar më 27 shkurt, vetëm pak ditë pas shkarkimit të Bordit, i jep pozitë akoma më të mirë kompanisë në raport me Telekomin. Kompania me aneksin 6, fiton të drejtën e akcesit në të gjitha nyjet telekomunikuese të Telekomit, si dhe ndërmarrja obligohet që të blejë kapacitete komunikuese ndërkombëtare për t’i siguruar punën partnerit.
“Partnerit i mundësohet që perveq shërbimeve IPTV dhe OTT, të shes edhe shërbime tjera me rastin e lidhjes së klienteve të ri”.
Po ashtu, përmes këtij aneksi, AdvanTech, fiton mundësinë që t’ia faturojë Telekomit shpenzimet për material me rastin e lidhjes së abonentëve, përkundër faktit që do t’i marrë 60 per qind nga fatura mujore e klientit.
Ky aneks e shfuqizon në tërësi aneksin 4, ku ndarja e të hyrave ishte 55% për Telekomin dhe 45% për AdvanTech, dhe atë vetëm për faturat që arrijnë të arkëtohen.
Me ndryshimet e reja në aneksin 6, ndryshon edhe ky raport, ku tash kompania do të ketë 60 për qind të të hyrave, kurse Telekomi 40 për qind dhe atë për të gjitha faturat që emitohen. E kur klienti e ndërron pakon, sipas aneksit 6, do të konsiderohet i ri dhe i nënshtrohet ndarjes se të hyrave 40/60, gjë që nuk ishte me anekset e mëparshme.
Krahas kësaj, kompania sipas marrëveshjes merr përsipër ta krijojë një aplikacion për telefona smart që do të quhet ValaTv. Përveç transmetimit të programacionit televiziv, me këtë aplikacion, partnerit i lejohen edhe shërbimet tjera.
“Kjo ja jep ne dispozicion partnetit aksesin ne 800.000 abonent aktiv te Vala, per mesazhe marketingu, per shitje on-line e sherbime tjera”, thuhet në dokumentet e siguruara nga Buletini Ekonomik.
AdvanTech, ‘Z Mobile-i’ i dytë i Telekomit
Buletini Ekonomik ka shkruar ditë më parë për kontratën bazë mes Telekomit dhe kompanisë AdvanTech, të cilën raportet e brendshme të kësaj ndërmarrje e cilësojnë si një “Zmobile të dytë për Telekomin”.
Kontrata është nënshkruar në fund të vitit 2019, nga kryeshefi i atëhershëm Bedri Istrefi dhe synon që t’ia japë nën menaxhim kompanisë private të gjitha operacionet e shërbimeve fikse të Telekomit, ku hyjnë interneti, televizioni dhe telefonia fikse.
Për shërbimet e kryera, kompania do të marrë 60 për qind të të hyrave, kurse 40 për qind Telekomi. Kështu, nëse një pako internet plus IPTV do të kushtojë 22 euro, kompania do të marrë 13 euro, kurse Telekomi – 9 euro.
Buletini Ekonomik ka siguruar kontratën me dokumentacionin përcjellës, e cila tashmë me një vendim të Bordit të përkohshëm të Telekomit është duke u audituar, pas dyshimeve të ngritura.
Modeli i kësaj kontrate është i ngjashëm me atë të ‘Z Mobile’-it sipas principit “share-revenue”. Ky model nënkupton ndarjen e të hyrave mes partnerëve, që në këtë rast 60 për qind të të hyrave nga shërbimet IPTV do t’i marrë kompania, ani pse infrastruktura është e Telekomit.
“Kontrata me AdavnTech është e ngjashme me kontratën që Telekomi e kishte me Z Mobile dhe me kompaninë PayKos”, thuhet në dokumentin e përgatitur nga ekspertët që i është prezantuar Bordit aktual.
Në Telekomin e Kosovës nuk e kanë komentuar kontratën për shkak të ndryshimeve në menaxhment, ku në vend të Bedri Istrefit të shkarkuar tashmë është emëruar Burbuqe Hana.
“Kjo punë është e bordit mbikëqyrës. Ndërmarrja do të jetë krejtësisht transparente. Jemi në fillim të punëve si menaxhment i ri, do të shikohen të gjitha gjetjet dhe do t’i publikojmë për publikun”, ka thënë Fadil Lepaja nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun në Telekom.
I kontaktuar nga Buletini Ekonomik, ish-kryeshefi Bedri Istrefi, nënshkrimi i të cilit figuron në kontratë, nuk ka pranuar të prononcohet lidhur me pyetjet rreth arsyeshmërisë së kësaj kontrate.
Si u arsyetua kontrata nga Telekomi?
Vetëm disa ditë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Telekomi i Kosovës shpalli kërkesë për partneritet, në të cilën do të merrnin pjesë vetëm katër kompani. Fituese u shpall një firmë nga Tirana, por me degë edhe në Kosovë, e quajtur AdvanTech.
Buletini Ekonomik ka siguruar analizën e zyrtarëve të Telekomit me rastin e vlerësimit të aplikacioneve.
“AdvanTech është operatori i cili ka përmbushur kushtet e shprehjes se interesit publik dhe i njëjti gjatë prezantimit ka ofruar një zgjidhje START to END teknike-operative, e që për momentin TK e ka të vështirë ose edhe të pamundshme me mjetet vetanake ta realizojë një shërbim të kompletuar”, thuhet në analizën me titullin “Raport-Analiza Biznesore” e hartuar më 31 mars 2020.
Në këtë raport, kontrata me AdvanTech arsyetohet me atë se shërbimet IPTV të Telekomit nuk marrin pjesë as me 10 për qind në tregun e telekomunikimeve.
Ndërkaq, në kontratë thuhet se Telekomi i Kosovës ofron në shërbim të partnerit komplet infrastrukturën e vet duke filluar nga backbone (lidhjet kryesore nëpër qytetet e Kosovës), rrjetin e qasjes dhe pajisjet aktive nëpër dhomat e serverëve kudo në Kosovë si dhe në qendër.
“Partneri ka të drejtë që të lidhë klientët të cilët janë objekt i kontratës mes TK dhe Partnerit, në rrjetin e qasjes se Telekomit të Kosovës, duke përdorur asetet e TK në terren, si kabllot, kutiat shpërndarëse etj.”
Për më tepër, Telekomi ofron në dispozicion te partneri të gjitha resurset teknike të Dhomave të Serverave: furnizim me energji pa ndërprerje, klimatizim, hapësirë, qasje në server, router, sëitch etj”
“Ideja e gjithmbarshme është të ofrohet shërbim kualitativ televiziv përmes teknologjisë më të re dhe më atraktive në treg përmes rrjetit të TK”, thuhet në kontratë.
Mirëpo në raportin e ekspertit që i është dorëzuar Bordit, thuhet se “ndarja e të hyrave që tajkalon 15% për kompaninë dhe nuk sjell 85% për Telekomin nuk është një marrëveshje e mirë”.
“Në rast të një kalkulimi të tillë nuk e di sa është e kuptueshme që të angazhohet një partner që të ofron OTT/IPTV në bazë të parimit share revenue dhe me atë rast: 1) Ka ekskluzivitet; 2) Ka të drejta pronësore në SË; 3) Merrë përqindje nga shërbimet bazë që i ofron Telekomi, pra nga Bundle (tufa) e shërbimeve – internet voice etj”, thuhet në raportin e ekspertit.
Kush është AdvanTech?
Në kontratë përveç Bedri Istrefit si Kryeshef i Telekomit, figuron edhe firma e Oltjon Bushit, i cili është pronar i AdvanTech. E njëjta kompani në nëntor të vitit 2018 është regjistruar si biznes edhe në Kosovë. Ndërsa në Shqipëri është regjistruar si biznes në vitin 2017. Për degën në Kosovë si aksionar, krahas Oltjon Bushit figuron edhe një emër tjetër, Bashkim Hajra.
Kur ishte regjistruar në Kosovë, kompania në përshkrimin e veprimtarisë së saj si aktivitet primar kishte potencuar “transportin rrugor të mallrave”, kurse si aktivitet sekondar “tregtinë me shumicë të kompjuterëve, të pajisjeve periferike të kompjuterëve dhe softuerëve”.
Buletini Ekonomik ka hulumtuar profilin e kompanisë, degën e saj në Kosovë, por nuk ka gjetur të dhëna për punët e kryera si dhe përvojën e saj.
Pronari Oltjon Bushi ka thënë se AdvanTech është një “kompani me përvojë të madhe”, mirëpo kur është pyetur se si është e mundur kjo meqë kompania në Shqipëri është regjistruar si biznes vetëm në vitin 2017, Bushi ka thënë se përvojën e kanë trashëguar nga një kompani tjetër, por pa ia përmendur emrin.
E në Kosovë ka thënë se kanë kryer punë për një televizion.
Për ngjashmëritë rreth kontratës me ‘Z Mobile’-in, Bushi ka thënë se është krejtësisht e kundërta.
“Sipas kontratës, kompania do të investonte në teknologji dhe e tëra do t;i mbetej ndërmarrjes”, ka thënë ai, derisa sa i përket ndarjes së të hyrave, ka thënë se është normale që kompania t’i ketë 60 për qind të të hyrave, për shkak të kostos së investimeve.
Ai ka shtuar se ‘ValaTV’ është një aplikacion që tashmë e kanë zhvilluar për Telekomin në kuadër të kontratës, porse puna njëherë është ndalur për shkak të ndryshimeve të reja në Telekom.
Ndërkohë, Buletini Ekonomik mëson se Bordi i ri me të ardhur në detyrë ka kërkuar auditim për këtë kontratë. /Buletini Ekonomik/