Mashtrimi me Start-up: Përfituesve të granteve iu dolën paratë në llogari por bizneset nuk u hapen kurrë

Ministria e Inovacionit dhe Nërmarrësisë (MIN) gjatë vitit 2019 kishte realizuar me qindra pagesa për financimin e bizneseve Start-up në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë.

Mirëpo, sipas Auditorit të Përgjithshëm, në dhjetëra raste, përfituesve iu dolën mjetet në llogari, por bizneset nuk u hapen kurrë.

Në bazë të nenit 8 të marrëveshjeve të lidhura ndërmjet MIN dhe përfituesve të granteve Startup, hapja e bizneseve si shoqëri tregtare është dashur të bëhet brenda gjashtë muajve nga nënshkrimi i kontratës.

Reklama e sponzorizuar

Kontratat ndërmjet MIN dhe përfituesve ishin nënshkruar me datë 04.09.2019 dhe ishin realizuar pagesat në llogari private të përfituesve. Sipas kontrates periudha e hapjes së bizneseve ishte gjashtë 6 muaj (deri në mars 2020).

“Nga 48 mostrat e testuara, në 10 raste përfituesit e granteve Start-up nuk kishin hapur fare bizneset. Kjo situatë është vlerësuar në kohën e procesit të auditimit në korrik të vitit 2020. Sipas ministrisë, shkaqet e ngecjes së këtij projekti ishin si pasojë e riformatimit të Qeverisë dhe mos përcaktimit të qartë të vendimmarrjes në këtë proces. Kjo çështje mbetet të përcillet edhe në auditimin në vijim”, thuhet nw raportin e Auditorit për Ministrinë e Inovacionit, për vitin 2019.

Mos hapja e bizneseve Start-up, sipas Auditorit, ndikon në mos përmbushjen e objektivave të ministrisë, njëkohësisht kjo ka ndikim në shpenzimin e mjeteve të pa arsyeshme dhe të pa arsyetuara.

“Ministri duhet të siguroj monitorim adekuat të projektit Start-up, me qëllim të vlerësimit të objektivave të ministrisë. Kjo situatë kërkon një vlerësim rigoroz në këtë vit, të përcaktohen qartë përgjegjësitë në vendimmarrje, në mënyrë që të përmbyllet procesi i krijimit të bizneseve nga përfituesit, apo në të kundërtën të kthimit të mjeteve”, konstaton Auditori. /Buletini Ekonomik/