Që nga fundi i muajit shkurt, stoku i depozitave në vend është rritur me 36 miliardë lekë, ose 291 milionë euro (+3.5%).
Rritja është shumë më e fortë, nëse krahasohet me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur nga shkurti 2019 deri në shtator 2019, kursimet ishin rritur me vetëm 6.5 miliardë lekë, ose gati 6 herë më pak. Sipas të dhënave historike të Bankës së Shqipërisë, kjo është rritja më e lartë për periudhën kohe në referencë, që nga viti 2011 (shiko grafikun e parë). Që prej vitit 2013, rritja e depozitave në sistem ishte ngadalësuar ndjeshëm, si rrjedhojë e uljes së normave të interesit (nga politika lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë), që i mbajti depozituesit larg bankave.
Duke iu referuar studimeve të ngjashme, një sjellje e tillë konsumatore e individëve për të rritur kursimet në kohën e Covid-19 vërehet në shumicën e vendeve të Rajonit dhe të Bashkimit Europian. Në vendet e BE-së, rritja e kursimeve gjatë tremujorit të parë të vitit 2020 ishte më e larta në 20 vitet e fundit.
Studimet për situata të tilla në të shkuarën sugjerojnë se në kohëra krizash ekonomike, fatkeqësish natyrore apo epidemish, mund të priten ndryshime strukturore në sjelljen e ekonomive familjare. Efekti i pasigurisë për të ardhmen mund të mbizotërojë atë të rënies së të ardhurave në ecurinë e pritshme të kursimeve; kjo nënkupton se individët mund priren edhe më shumë drejt kursimit, duke ulur më tej konsumin.
Duke llogaritur edhe depozitat që nuk përfshihen në përkufizimin e parasë së gjerë, totali i depozitave bankare në Shqipëri arriti në rreth 1.25 trilionë lekë ose rreth 10 miliardë euro. Depozitat që nuk përfshihen në përkufizimin e parasë së gjerë të Bankës së Shqipërisë janë ato me maturim mbi dy vjet, si edhe depozitat e qeverisë qendrore.
Në tremujorin e tretë të vitit rritja e totalit të depozitave është rreth 19 miliardë lekë, ndërsa depozitat që përfshihen në paranë e gjerë janë rritur me rreth 22 miliardë lekë. Kjo mund të tregojë se një pjesë e depozitave afatgjata janë zhvendosur në depozita pa afat apo afatshkurtra, çka konfirmon sërish tendencën drejt formave më likuide të kursimit.
Rritja e depozitave në shtator
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit shtator, totali i depozitave të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë arriti në 1 trilionë e 78 miliardë lekë ose rreth 8.7 miliardë euro. Depozitat regjistruan një rritje të mëtejshme prej 8.2 miliardë lekësh (rreth 65 mln euro) krahasuar me gushtin; me bazë vjetore krahasimi, depozitat shënuan një rritje prej 66 miliardë lekësh ose rreth 6.5%.
Gjatë shtatorit, depozitat u rritën pothuajse në masë të barabartë si në lekë, ashtu edhe në valutë, me një shtesë prej afërsisht përkaësisht 4 miliardë lekësh tek të dy grupet.
Depozitat në valutë huaj dhe kryesisht në euro vazhdojnë të dominojnë, me rreth 54% të totalit.
Edhe për shtatorin rritja erdhi kryesisht tek llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat, në dëshmi të faktit se shqiptarët përgjithësisht preferojnë t’i mbajnë fondet e tyre në formë likuide dhe të mund t’i tërheqin në çdo kohë. Kjo zgjedhje lidhet si me normat e ulëta të interesit për depozitat me afat, ashtu edhe me pasigurinë që ka përcjellë kriza në radhët e familjeve dhe bizneseve shqiptare./monitor