Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi në një intervistë për Telegrafin ka thënë se, shkëputja e Serbisë prej gazsjellësit rus është interes strategjik i Kosovës.
Gashi ka thënë se pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Washingtonit, Kosova shndërrohet në nyje lidhëse për Evropën Juglindore.
“Nëse flasim për Marrëveshjen e Washingtonit duhet t’i shihni tri çështje. E para, Kosova shndërrohet në nyje lidhëse për Evropën Jug-lindore për sa i përket infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe për sa i përket infrastrukturës së gazsjellësit. Nëpër Kosovë do të kaloj gazsjellësi që do ta furnizon Serbinë, dhe Kosova e ka çezmën, nëpër Kosovë do të kaloj Hekurudha që lidh Evropën Jug-lindore me Selanikun dhe me Portin e Durrësit, ku Kosova do të jetë nyja kryesore, dhe do të kaloj autostrada që i lidh këto dy porte. Pra, në këtë fushë, shkëputja e Serbisë prej gazsjellësit rus në atë evropian e amerikan është interes strategjik i Kosovës”, tha Gashi.
I pari i deputetëve të LDK-së, po ashtu ka thënë se, Qeveria Hoti me marrëveshjen e nënshkruar, i ka hapur rrugë Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe me miqtë e saj dhe se asnjë marrëveshje e nënshkruar nuk është e dëmshme për vendin ashtu siç ka kritikuar opozita.
Ai në këtë intervistë ka folur edhe për përfaqësimin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, për kritikat e opozitës ndaj Qeverisë Hoti, për përfshirjen e mundshme të PDK-së në Qeveri, zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, mundësinë për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme me Lëvizjen Vetëvendosje si dhe për deklarimin për media që e bëri shefit i LDK-së, Isa Mustafa për arrestimin e kryetarit të Istogut, Haki Rugova. /Telegrafi/