Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka liruar sot nga detyra e Ministres së Financave, Hykmete Bajramin, pas kërkesës së kësaj të fundit, raporton Express.
Në vend të Bajramit, me këtë ministri do të udhëheq zëvendësministri Agim Krasniqi.
Express ka siguruar vendimin e Qeverisë ku thuhet se Krasniqi është emëruar Ministër në detyrë i Ministrisë së Financave.
Ndryshe, në letrën e dorëheqjes që ka siguruar Express, të cilën Bajrami ia ka dërguar Kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, ajo ka shkruar se arsyeja e dorëheqjes është personale.
Bajrami ka shkruar në letrën e dorëheqjes se do të angazhohet si deputete në Kuvendin e Kosovës, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.
“Kërkoj nga ju të më lironi nga detyra e ministres së Financave në detyrë. Po largohem, nga pozita e ministres për arsye personale, dhe do të angazhohem në pozitën e deputetes në Kuvendin e Republikës pas certifikimit të zgjedhjeve”, ka shkruar Bajrami në kërkesën për dorëheqje.