Nëse në vitin 2019 një konsumator do të blinte 1 kg miell gruri, 1 lit vaj, 1 kg djathë si dhe 30 copë vezë, me një mesatare të çmimeve do t’i nevojiteshin 8 euro e 66 centë. Një vit më pas, në 2020, të njejtëve për po të njejtat produkte do t’iu duheshin 8 euro e 94 centë, pra 0.28 centë më shumë. E këto çmime vazhduan të rriten edhe më tej në vitin 2021.
Të dhënat e muajit gusht 2021, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregojnë se ka pasur rritje të inflacionit mujor dhe vjetor. Inflacioni mujor ishte më i lartë në një mesatare prej 1.2% në gusht 2021, krahasuar me korrikun 2021. Por, norma vjetore e inflacionit e matur në gusht të 2021 krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, ishte më e lartë në një mesatare prej 4.7%.
Ndërkohë të gjithë artikujt që u cekën më lartë kanë pasur rritje të çmimit. Në gusht 2021, çmimi i bukës dhe drithërave u rrit me 1.9%, i djathit dhe i vezëve me 7.4%, e rritje shumë më të madhe patën vajrat dhe yndyrat ushqimore me 28.5%, krahasuar me çmimet që kishin në gusht të vitit 2020. Pra, as 8 Euro e 94 cent nuk do t’i mjaftojnë një konsumatori në Kosovë t’i blej këto 4 produkte të cilat i blinte edhe më lirë vite më parë.
Si qëndroi inflacioni ndër muaj gjatë vitit 2021?
Por pse u ngritën çmimet?
Në gusht të vitit 2021, çmimet e konsumit në vendin tonë u rritën për 4.7%. Por kjo rritje nuk ishte vetëm në Kosovë. Në muajin gusht 2021, inflacion vjetor shënuan edhe vendet e rajonit, ku Shqipëria pati ngritje të çmimeve me 2.4%, Mali i Zi me 3.1%, Maqedonia e Veriut me 3.6%, derisa Serbia shënoi inflacionin më të lartë në rajon për këtë periudhë me 4.3%.
Rritje të çmimeve të konsumit patën edhe shtetet e tjera nga të cilat vendi ynë importon sasi të lartë të produkteve të ndryshme. E meqë Kosova ka bilanc negativ, pra importon më shumë sesa eksporton, kushtimisht i bie se edhe inflacionin e kemi të importuar, shkruan Indeksonline.
Rritja e inflacioni gjithandej globit, sipas Forbes, vjen si rezultat i hapjes së ekonomisë pas futjes në kontroll të pandemisë – e cila çoi në rritje të kërkesës nga konsumatorët, plus kufizimet e zinxhirit të furnizimit. Kjo shpjegohet me atë se shumë kompani përballen me vështirësi në gjetjen e lëndës së parë si dhe fuqisë punëtore për të prodhuar produktet e tyre. Gjithë kjo e shoqëruar me rritjen e kërkesës së konsumatorit, përbënë katalizatorët kryesorë të rritjes së inflacionit.
Në vitin 2020, norma e inflacionit në të gjithë botën arriti në afërsisht 3.2 përqind në krahasim me vitin paraprak. Inflacioni shpesh përcaktohet si një rritje e vazhdueshme e nivelit të përgjithshëm të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve. Megjithatë, pritjet e ekonomistëve janë që inflacioni në 2021 të zbutet pasi të lehtësohen pengesat kyçe, por prap do të jetë më i lartë se mesatarja e viteve 2016-19, para pandemisë. Me pak fjalë, inflacioni më i lartë ka të ngjarë të qëndrojë me ne edhe për një kohë.