Vendet e Bashkimit Evropian akuzojnë Rusinë për rritjen e çmimit të gazit

Komisioni Evropian po shqyrton ankesat e disa vendeve të Bashkimit Evropian se Rusia po përdor pozicionin në treg për të nxitur rritjen e çmimeve të gazit në rajon.

Furnitori rus Gazprom ka përmbushur detyrimet e shitjeve në kontratat afat-gjatë, por nuk i ka shtuar. Kjo ka tërhequr akuza nga politikanët e Bashkimit Evropian, se po rrit çmimet në kontinent, që kanë arritur në nivele rekord të larta prej tkurrjes së ofertës dhe faktorë të tjerë.

Reklama e sponzorizuar

“Ne po shohim këtë pretendim, së bashku me zëvendëspresidenten Margrethe Vestager, që është e përgjegjshme për rregullat e konkurrencës, pasi është çështje me rëndësi”, tha komisionarja e Energjisë, Kadri Simson.

Ndërkohë shefja e Konkurrencës, Margrethe Vestager tha se sipas vlerësimeve fillestare, Rusia po respekton kontratat afat-gjatë.

Moska po pret miratim rregullator për gazsjellësin “Nord Stream II”, për të nisur pompimin e gazit në Gjermani. Kritikët thonë se Rusia ka ushtruar presion për të përshpejtuar miratimin e projektit, duke mos furnizuar gaz shtesë në Evropë, përballë rritjes së çmimeve.

Brukseli do publikoi javën e ardhshme udhëzime për vendet që të reagojnë ndaj rritjes së çmimeve, përfshirë subvencione dhe zbritje tatimore të energjisë, masa që disa qeveri i kanë prezantuar.

Simson tha se udhëzimet do konsiderojnë gjithashtu masa që mund të merren në nivel të BE. Vende, përfshirë Spanja, Franca dhe Polonia, kanë thënë se tkurrja e çmimeve duhet të përballet me një koordinim evropian, si reforma në tregun e energjisë apo blerje të përbashkët të gazit. /Scan TV/