Kompanitë që merren me hulumtime minerare në Kosovë, në mungesë të një laboratori funksional, kushtimisht detyrohen që mostrat t’i dërgojnë në Rumani, duke paguar për një mostër të vetme minimalisht 40 euro. Me një kosto disa herë më të ulët, këto analiza do të mund të kryheshin në Kosovë, sikur të ishte funksional laboratori i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës.
Mehmet GJATA
Një laborator për analiza gjeologjike i blerë që para 10 vjetësh nga Ministria e Ekonomisë, që thënë më saktësisht me mjete të taksapaguesve kosovarë, në vlerë të 2 milionë eurove, po rri i pluhurosur në zyret e Shërbimit Gjeologjik të Kosovës. Qe një dekadë, ai është jofunksional dhe nuk është në shërbim të qytetarëve siç ishte edhe synimi, në mungesë të një investimi prej 1.5 milionë eurove tjera, para këto që nevojiten për ta funksionalizuar në tërësi këtë laborator.
Dhe shi për këtë, pra për mosfunksionalizimin e tij, siç është njoftuar Buletini Ekonomik, kompanitë që merren me hulumtime minerare në Kosovë, sa herë që kanë nevojë për të bërë analiza gjeologjike, në mungesë të një laboratori funksional, kushtimisht detyrohen që mostrat t’i dërgojnë në Rumani.
Për një mostër të vetme, ato paguajnë minimalisht 40 euro. Me një kosto disa herë më të ulët, këto analiza pra, do të mund të kryheshin në Kosovë, sikur të ishte funksional laboratori për analiza gjeologjike i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës. Mirëpo, laboratori që kishte kushtuar 2 milionë euro në vitin 2010, prej atëherë rri i mbuluar nga pluhuri në ambientet e Shërbimit Gjelogjik të Kosovës, për arsye fare të pakuptueshme dhe krejt banale.
Mosaktivizimi i këtij Laboratori për të gjitha palët, më saktësisht edhe për kompanitë e shumta minerare që janë të angazhuara për hulumtimin e mineraleve në Kosovë, është i dikskutueshëm, aq më parë kur dihet se investimi për blerjen e këtij laboratori ishte bërë nga paratë e taksapaguesve të Kosovës.
Më saktësisht, sipas burimeve të Buletini Ekonomik brenda Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, tani për tani në këtë laborator bëhen analiza vetëm për qëllime të vet Shërbimit Gjeologjik, mirëpo jo edhe për palët e treta, siç janë në këtë rast kompanitë e ndryshme minerare që operojnë në Kosovë.
Buletini Ekonomik ka mësuar se tashmë Shërbimi Gjeologjik ka dërguar edhe në Ministrinë e Ekonomisë një draft rregullore, me anë të së cilës kërkojnë nga ministria një përcaktim të çmimeve për analizat gjeologjike, por nga ministria në fjalë ende nuk i janë përgjigjur kërkesës së këtij instituti. E pa këtë rregullore, nga burimet brenda SHGJK-së, thuhet se Shërbimi Gjeologjik nuk mund të vazhdojë asnjë hap tutje në kryerjen e analizave.
“Prej vitit 2010 është ble laboratori për analiza gjeologjike, por ende nuk është funksional. Deri tani janë dhënë 2 milionë euro, por mungon edhe pjesa tjetër e investimit prej 1.5 milionë eurosh. Nuk ka pas vullnet nga asnjëra qeveri me e çu përpara funksionalizimin në tërësi të labortatorit”, ka thënë ky burim.
Ndërkohë, gjeologu Mentor Demi, ka deklaruar për Buletinin Ekonomik se në mungesë të funksionalizimit të këtij laboratori, kompanitë hulumtuese në sektorin minerar në Kosovë detyrohen që mostrat për analiza t’i dërgojnë në Rumani. Këto kompani janë të detyruara po ashtu të pagujanë një çmim prej 40 eurove për vetëm një mostër atje, në vend se të njëjtat të bëheshin në Prishtinë me një kosto shummëfish më të ulët.
Demi shton tutje se nëse do të ishte funksional Laboratori i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, jo vetëm që do të përfitonin kompanitë minerare që do ta paguanin një çmim më të arsyeshëm sesa 40 euroshi i Rumanisë, por se këto para do të shkonin direkt në arkën e shtetit të Kosovës.
“Ky laborator është siguruar për të bërë ekzaminime të mostrave minerare dhe gjendet në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës (shërbim i ministrisë së Ekonomisë), por për çudi dhe pa një shpjegim meritor ai nuk është në funksion të hulutimeve. Në këtë mënyrë, kompanitë hulumtuese detyrohen që t’i dërgojnë mostrat në Rumani, të paguajnë çmimin prej 40 eurosh për secilën mostër, në vend që këtë ekzaminim ta bëjnë në Prishtinë, me një çmim më të arsyeshëm dhe këto para të shkojnë në arkën e shtetit të Kosovës”, është shprehur gjeologu Demi.
Buletini Ekonomik ka pyetur edhe në Ministrinë e Ekonomisë se a është e vërtetë se Shërbimi Gjeologjik i ka dorëzuar ministrisë një draft rregullore rreth përcaktimit të çmimeve për analiza, por ka marrë vetëm përgjigje përgjithësuse.
Nga ME-ja kanë thënë se ministrja Artane Rizvanolli ka inicuar procedurën e auditimit të brendshëm për menaxhimin e përgjithshëm dhe funksionimin e Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, dhe se të gjitha aktet nënligjore të cilat kanë të bëjnë me Shërbimin Gjeologjik të Kosovës e që duhet të fuqizohen sipas legjislacionit në fuqi, do të trajtohen konform të gjeturave të raportit të auditimit të brendshëm.
“Të gjitha aktet nënligjore të cilat kanë të bëjnë me Shërbimin Gjeologjik të Kosovës e që duhet të fuqizohen sipas legjislacionit në fuqi do të trajtohen konform të gjeturave të raportit të auditimit të brendshëm”, thuhet në përgjigjet e ministrisë.
Buletini Ekonomik gjatë këtij hulumtimi, ka mësuar se mungojnë edhe kapacitetet njerëzore brenda Shërbimit Gjeologjik të Kosovës për përdorimin e laboratorit në fjalë.
Pse po pritet kaq shumë për aktivizimin e këtij Laboratori aq shumë të nevojshëm për zhvillimet minerare e sidomos për hulumtimet xehetare, është mirë të jipet një shpjegim më konkret nga institucionet kompetente vendimmarrëse të vendit.
Një laborator për analiza gjeologjike i duhet Kosovës, madje urgjentisht. Dhe ai është këtu, në Prishtinë, pse është pritur 10 e më shumë vite për të aktivizuar dhe për ta kryer funksionin për të cilin është blerë dhe pse po zvarritert edhe më tutje funksionalizimi i tij. Taksapaguesit e Kosovës duhet të marrin një përgjigje, doemos./Buletini Ekonomik/