Bashkimi i dy tregjeve të energjisë mes Kosovës dhe Shqipërisë, pritet të sjellë shumë përfitime energjetike për të dyja vendet, një sigurim më stabil të furnizimit me energji elektrike por edhe pritet që ta ulë nevojën për prodhim të energjisë. Mirëpo, si sfidë kryesore cilësohet organizimi i tregut si dhe operacionalizimi i bursës shqiptare, të quajtur ALPEX.
Intervista e Buletinit Ekonomik me Dardan Abazin, kordinator i projekteve në Institiutin për Politika Zhvillimore (INDEP)
Mirjeta Shabani
Benefitet që sjellë operimi energjetik përmes tregut të përbashkët mundësojnë zhvillimin e mëtutjeshëm energjetik dhe ekonomik të të dyja vendeve. Bashkimi i tregjeve të energjisë ofron potencial shumë të mirë edhe për sigurimin e furnizimit me energji, por edhe për uljen e nevojës për prodhim të energjisë. Lehtësimi i operimit të sistemeve energjetike, llojllojshmëria e burimeve të gjenerimit të energjisë elektrike, infrastruktura e shtuar dhe më e zhvilluar, shtimi i sigurisë së furnizimit, avansimi i teknologjisë e shumë të tjera përmenden si disa prej favoreve kryesore të tregut të përbashkët energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Gjithashtu, në rastet e ballafaqimit me kriza energjetike, tejkalimi i tyre lehtësohet kur pjesë e tregut energjetik janë më shumë shtete, ka thënë Dardan Abazi, kordinator i projekteve në INDEP, në një intervistë më të gjatë për Buletinin Ekonomik, duke arsyetuar kështu domosdonë e krijimit të tregut të përbashkët energjetik Kosovë-Shqipëri.
Sipas Abazit, arsyet primare për ta krijuar një treg të përbashkët energjetik ndërlidhen me faktorët ekonomik dhe përfitimet që do të lehtësojnë procesin e tranzicionit energjetik. Bashkimi kombëtar energjetik do të ishte hapi i parë drejtë bashkimit rajonal dhe atij evropian, vlerëson Abazi, mirëpo gjithnjë duke u bazuar në tregun që kërkon të rritet dhe konkurrencën që shtohet, dhe gjithnjë me vlerat evropiane si aspiratë.
Dardan Abazi në këtë intervistë përkujton se marrëveshjet paraprake mes të dyja vendeve kanë ndihmuar funksionalizimin e rrjeteve energjetike në këto dy shtete. Këto marrëveshje, thekson Abazi, janë rezultat që sot diskutohet dhe shtyhet përpara tema e bashkimit energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë intervistën:
Buletini Ekonomik: Pse INDEP dhe ju personalisht këmbëngulni për domosdonë e krijimit të tregut të përbashkët energjetik Kosovë-Shqipëri?
Dardan Abazi: Për gjenerimin e energjisë elektrike, të dy vendet përdorin burime të ndryshme energjetike. Në njërën anë është Shqipëria, e cila burim kryesor të gjenerimit të energjisë elektrike ka ujin, ndërsa në anën tjetër Kosova e cila bazohet në thëngjill. Duke synuar që në të ardhmen të arrijmë dekarbonizimin dhe një tranzicion energjetik të favorshëm dhe të mirë strukturuar, ku në epiqendër do të vendosen burimet e ripërtërishme të energjisë, krijimi i tregut të përbashkët energjetik do të ndihmonte dhe do të lehtësonte arritjen e këtyre proceseve. Benefitet që sjellë operimi energjetik përmes tregut të përbashkët mundësojnë zhvillimin e mëtutjeshëm energjetik dhe ekonomik të të dyja vendeve.
Buletini Ekonomik: Cilat janë favoret konkrete të tregut të përbashkët energjetik shqiptaro-shqiptar?
Dardan Abazi: Bashkimi i tregjeve të energjisë ofron potencial shumë të mirë edhe për sigurimin e furnizimit me energji, por edhe për uljen e nevojës për prodhim të energjisë. Lehtësimi i operimit të sistemeve energjetike, llojllojshmëria e burimeve të gjenerimit të energjisë elektrike, infrastruktura e shtuar dhe më e zhvilluar, shtimi i sigurisë së furnizimit, avansimi i teknologjisë e shumë të tjera janë disa prej favoreve kryesore të tregut të përbashkët energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë. Gjithashtu, në rastet e ballafaqimit me kriza energjetike, tejkalimi i tyre lehtësohet kur pjesë e tregut energjetik janë më shumë shtete.
Buletini Ekonomik: A ka ndonjë premisë politike, duke u shfrytëzuar edhe kriza globale energjetike, ideja për unifikim energjetik Kosovë – Shqipëri, apo e tëra mbështetet te valorizimi dhe racionalizimi i prodhimit dhe konsumit të rrymës elektrike në të dy vendet, pra te arsyet ekonomike?
Dardan Abazi: Në pikëpamjen tonë arsyet primare ndërlidhen me faktorët ekonomik dhe përfitimet që do të lehtësojnë procesin e tranzicionit energjetik. Normalisht, çdo bashkëpunim drejtë bashkimit me Shqipërinë në çdo sektor ka rëndësinë edhe të raporteve ndër-shqiptare. Gjithsesi, ky mund të jetë preokupim i politikanëve. Parë nga këndvështrimi ynë dhe fushëveprimtaria e INDEP, bashkimi kombëtar energjetik do të ishte hapi i parë drejtë bashkimit rajonal dhe atij evropian. Gjithnjë duke u bazuar në tregun që kërkon të rritet dhe konkurrencën që shtohet dhe gjithnjë me vlerat evropiane si aspiratë.
Buletini Ekonomik: Çka nënkuptohet me operim më të lehtë të të dyja sistemeve energjetike ndërshqiptare?
Dardan Abazi: Operimi si zona energjetike të ndara, paraqet më shumë sfida dhe krijon kufizime sa i përket rezervave, alokimit të kapaciteteve, krijimin e likuiditetit të tregut etj. Duke zhvilluar treg të përbashkët, Kosova do të ketë qasje më të lehtë në rezervat energjetike të Shqipërisë, do të shton llojllojshmërinë e burimeve energjetike dhe do të rrisë kapacitetet për energji elektrike përmes të cilës do të përmbushë kërkesën e konsumatorëve.
Buletini Ekonomik: Po, si do të reduktohen më konkretisht shpenzimet e të dyja sistemeve energjetike – ato të prodhimit dhe të shpërndarjes, siç e pohuat në konferencën e mbajtur ditë më parë të INDEP-it “Bashkimi energjetik Kosovë-Shqipëri: Sfidat dhe Mundësitë”, si dhe si do të lehtësohej shkëmbimi i rezervave energjetike të të dyja vendeve fqinjë?
Dardan Abazi: Shpenzimet e sistemeve energjetike do të zvogëloheshin duke e ditur faktin që sasia e energjisë së importuar nga vendet e tjera do të zvogëlohej. Kjo pasi që do të shtoheshin kapacitetet aktuale të të dyja vendeve. Kosova do të plotësonte Shqipërinë gjatë orëve të natës, e Shqipëria do të plotësonte Kosovën gjatë orëve të pikut gjatë ditës. Krijimi i një infrastrukture më moderne është shumë më i lehtë në sistem të përbashkët energjetik, pasi që forcat, kapacitetet dhe resurset janë më të mëdha. E një infrastrukturë më moderne energjetike do të mundësonte uljen e shpenzimeve të distribucionit apo të shpërndarjes së energjetisë elektrike.
Buletini Ekonomik: Shqipëria apo Kosova do të kishin më shumë favore nga tregu i përbashkët energjetik?
Dardan Abazi: Favoret do të ishin sinergjike pra thuajse të njëjta. Duke e ditur se Shqipëria ka sistem hidro të energjisë, e i cili shumë më shpejt dhe në mënyrë më efikase vihet në funksion, ndërsa Kosova ka termoelektranat të cilat nuk ndalen së punuari, vetëm në rast të problemeve teknike, mbulimi i kërkesës për të dyja vendet do të ishte më i lehtë. Kjo pasi që Kosova ka mungesë në kohën e pikut për energji elektrike, ndërsa gjatë natës prodhon më shumë se sa që ka kërkesë për energji elektrike. Një shkëmbim i energjisë do të mund të organizonte efikasitet më të madh për të dy vendet. Kosova do të ishte përfituese e madhe në aspektin e integrimit të mëtutjeshëm të burimeve të ripërtërishme, e në të njejtën kohë do të afronte synimet për gjenerim të energjisë së pastër dhe miqësore me ambientin.
Buletini Ekonomik: Nuk është se nuk ka pasur edhe në të kaluarën jo pak marrëveshje rreth bashkëpunimit energjetik shqiptaro-shqiptar, dhe cilat kanë qenë rezultatet dhe efektet konkrete të këtyre marrëveshjeve, pos huazimit të energjisë elektrike në raste të krizave dhe në raste të mungesave ekstreme të rrymës në Shqipëri, apo në Kosovë?
Dardan Abazi: Marrëveshjet paraprake kanë ndihmuar funksionalizimin e rrjeteve energjetike të të dy vendeve. Këto marrëveshje janë rezultat që sot diskutohet dhe shtyhet përpara tema e bashkimit energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë. Këto marrëveshje kanë qenë të mirëpritura nga të dy palët për faktin që kanë shtuar sigurinë energjetike dhe kanë synuar krijimin e mbarëvajtjes së tregut energjetik në të dy anët e kufirit.
Buletini Ekonomik: Dihet, Kosova e ka thuaja tërë prodhimin e rrymës të bazuar në qymyr (termocentrale), ndërsa Shqipëria tërë rrymën e prodhuar e ka të bazuar në ujë (hidrocentrale). Kur, në ç’kohë dhe në ç’stinë me bashkimin energjetik të të dy vendeve do të krijoheshin shumë favore në sigurimin e energjisë më të bollshme dhe në furnizimin më stabil të konsumeve të të dyja vendeve, dhe a është ky valorizim i mjaftueshëm i sistemeve energjetike të të dy vendeve?
Dardan Abazi: Për Shqipërinë, stina e verës është më sfiduese duke e ditur edhe faktin që shkaktohet ulje e nivelit të ujërave përmes të cilave gjenerohet energji elektrike. Ndërsa për Kosovën dhe sistemin e saj aktual të gjenerimit të energjisë, aktualisht nuk ka ndonjë stinë e cila do të favorizonte gjenerim më të shtuar ose më të zvogëluar të energjisë elektrike. Me bashkimin energjetik të të dy vendeve, stinët kur moti është më pak i thatë do të ishin më të frytshme në aspektin e gjenerimit të energjisë elektrike, pasi që niveli i ujërave në Shqipëri do të ishte më i lartë, e rrjedhimisht do të ishte më i lartë edhe sasia e gjeneruar e energjisë elektrike.
Buletini Ekonomik: Po, në kuptimin e sigurisë së furnizimit me energji, cilin efekt do ta kishte tregu energjetik ndërshqiptar?
Dardan Abazi: Sa më i madh blloku dhe tregu, siguria vetëm sa rritet dhe bashkëpunimi lehtësohet. Siguria energjetike paraqet qasjen në burimet e energjisë elektrike me një qëndrueshmëri të furnizimit dhe çmim të përballueshëm. Sa më i madh tregu energjetik, aq më e madhe siguria energjetike dhe aq më i përballueshëm çmimi. Kjo do të thotë se siguria energjetike në një treg të përbashkët do të rritet, për arsye se konkurrenca mundëson që të ketë furnizim adekuat për konsumatorët. Kjo sepse konsumatori gjithmonë do të mundohet që t’i marrë shërbimet e njëjta me çmimin më të lirë në treg. Andaj një treg i përbashkët i cili do të mbledhte dhe do të integronte më shumë akterë, shton edhe sigurinë energjetike të furnizimit por edhe siguri të investimeve të reja.
Buletini Ekonomik: INDEP është deklaruar se edhe pse të dyja vendet konsiderohen si shtete të vogla, integrimi i tregut mes Kosovës dhe Shqipërisë shihet si një opsion që mund të zhvillojë treg me llojllojshmëri produktesh (energjetike). Si do të arrihet ky treg, kur dihet se shtetet e vogla nuk mund të zhvillojnë tregje adekuate likuide, pasi që nuk kanë llojllojshmëri të kapaciteteve të ndryshme energjetike, por nuk kanë edhe ndonjë numër imponues palë shpjesëmarrëse që të krijojnë një llojllojshmëri të tregut?
Dardan Abazi: Tregjet më të mëdha favorizohen edhe nga investitorët. Në një treg të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, investimet në burime të ripërtërishme do të tërhiqnin investimet si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Të dyja vendet kanë potencial të mjaftueshëm energjetik, si nga gjenerimi i energjisë nga dielli ashtu edhe nga era e uji. Me integrimin tutje të burimeve të ripërtërishme të energjisë, do të krijohej më shumë laramani dhe më shumë opsione për konsumatorët.
Buletini Ekonomik: Dhe fare në fund, pos favoreve që janë të padiskutueshme, cilat do mund të ishin sfidat më serioze për të realizuar këtë treg aq të dëshirueshëm në botën energjetike të të dyja vendeve dhe aq të synuar kaherë nga të dyja shtetet?
Dardan Abazi: Sfidë për tregun e përbashkët cilësohet organizimi i tregut. Në një sistem të përbashkët energjetik, me numër të shtuar të stafit, me infrastrukturë më të gjerë dhe me kërkesë më të madhe të energjisë, organizimi dhe funksionalizimi i duhur paraqesin një sfidë në vete. Në tregje më të mëdha dhe me sisteme të ndryshme gjeneruese, sfida për bashkimin e burimeve dhe krijimin e qarkores në të cilën përmbledhet i gjithë tregu mund të konsiderohet më e madhe se sa në tregje të cilat janë më të vogla e që janë të pavarura. Sfidë tjetër e tregut të përbashkët është operacionalizimi i bursës shqiptare, e quajtur ALPEX, e deri në funksionalizimin e saj, kjo mund të quhet si një nga sfidat kryesore të bashkimit energjetik. /Buletini Ekonomik/