Shfrenimi i çmimeve, me pasoja të pamata për agrarin e Kosovës

Çmimet në “rënie të lirë” në Kosovë. Kjo përkthehet: ato mund t’i ngritë kush të dojë dhe sa të dojë: edhe tregtarët e naftës, edhe ata të ushqimit bazik, pra produkteve elementare të jetesës, edhe farmacitë, por edhe shërbyesit, cilido qoftë ai për shërbimet e tyre. Më nuk ka kontroll fare. Dhe po ngritën egërsisht dhe vrazhdë edhe produktet – lëndë e parë në bujqësi, që nevojiten për kultivimin e bimëve dhe të mirave bujqësore në Kosovë. Në tremujorin e fundit të vitit 2021 kanë shënuar rritje ekstreme në çmim, për ta rrezikuar kështu mbetjen djerrinë të tokave tona.

Mehmet Gjata

Nga shifrat e larta të shfrenimit të çmimeve, praktikisht të të gjitha produkteve, edhe atyre bazë ushqimore, edhe bujqësore dhe industriale, ka të ngjarë që ecuritë e ngritjes së çmimeve në Kosovë aktualisht të jenë në “rënie të lirë”. Kjo përkthehet: ato mund t’i ngritë kush të dojë dhe sa të dojë: edhe tregtarët e naftës, edhe ata të ushqimit bazik, pra produkteve elementare të jetesës, edhe farmacitë, por edhe shërbyesit, cilido qoftë ai për shërbimet e tyre. Më nuk ka kontroll fare në veprimet e tregtarëve, edhe tanëve. Dhe po ngritën egërsisht dhe vrazhdë, pa asnjë paralajmërim paraprak dhe pa anjë arsyetim edhe produktet – lëndë e parë në bujqësi, që nevojiten për kultivimin e bimëve dhe të mirave bujqësore në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Ato në tremujorin e fundit të vitit 2021 kanë shënuar rritje ekstreme në çmim. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2020, muajt e fundit të vitit që lamë pas, çmimet e disa prej lëndëve të para në bujqësi janë rritur për 25,3 për qind, sipas të dhënave të ASK-së, që i përcjell Buletini Ekonomik. Në kategorinë e produkteve kryesore – repromaterial që pa te nuk mund të ketë bujqësi fare as në Kosovë përfshihen: farërat dhe materialet ëmbëltuese, energjia, vajrat, plehrat artificiale dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticidet, shpenzimet për veterinari, lëndët për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtja e materialeve, mirëmbajtja e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera. Të gjitha këto produkte pra, tashmë janë më të shtrenjta se në vitet paraprake.

Ndërkohë, edhe mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi, siç janë: makineritë dhe pajisje të tjera për punimin e tokave, ndërtesa të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punë të tjera, përveç përmirësimit të tokës), kanë shënuar rritje në çmim për 1.5 për qind. Ndërsa, sipas llogaritjeve të ASK-së, si indeks i përgjithshëm i të dyja inputeve bujqësore, rritja e e çmimeve të tyre është për 13.6 për qind më e lartë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020. Grumbullimi i çmimeve nga ASK-ja është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Nga ASK tregojnë se çmimet janë grumbulluar në shtatë regjione: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan. Këto të dhëna të Agjencisë së Statistikave janë mbledhur sipas metodologjisë së Eurostatit, ku janë përfshirë 77 inpute bujqësore, duke evidentuar çmimet në barnatore bujqësore, farmaci veterinare, biznese dhe tregje të ndryshme ku tregtohen inputet bujqësore”, kanë njoftuar njohës të kësaj fushe për të dëshmuar vërtetësinë e të dhënave statistikore.

Por, këto çmime që ka bërë publike ASK-ja tashmë janë të vjetruara. Sepse, këto ditë janë shpërfaqur çmime të frikshme të larta, tmerruese për bujqit e fermerët kosovarë, te disa produkte të lëndës së parë për bujqësinë. Një thes i plehut artificial – Urea, që gjatë vitit të kaluar ka kushtuar 8 euro, sot thuaja në të gjitha farmacitë bujqësore dhe në pikat e tjera të tregtimit të këtij produkti në Kosovë, kushton 25 euro, mbase mund të gjendet në ndonjë pikë tregtimi edhe me 24 euro. Kjo rritje kaq e madhe e një produkti-lëndë e parë e rëndësishme në bujqësi nuk ka ndodhur deri tani në Kosovë, sepse i bie që çmimi i një thesi të plehut artificial është ngritur trefish, ose në përqindje 300 për qind. Janë ngritur, përafërsisht në këtë nivel, ose pak më pak se Urea edhe të gjitha llojet e tjera të plehrave artificiale dhe produktet e tjera të repromaterialit të bujqëve kosovarë, të cilat janë të domosdoshme për mbjelljet pranverore dhe për riplehërimin e grunajave.

Në interesimin e Buletinit Ekonomik, në shumë shumë pika të tregtimit të materialit riprodhues, ose të lëndës së parë të nevojshme për mbjelljet pranverore, anekënd Kosovës, janë marrë përgjigje që tregojnë për ngritje enorme të çmimeve, veçanërisht të plehrave artificiale. Diku shitësit thonë se është rritur çmimi 100 deri 120 për qind, diku mbi 200 për qind krahasuar me vitin e kaluar, por është fare lehtë për t’u parë ngritja enorme. Mjafton të krahasohet çmimi i vjetshëm i një thesi Urea, ta zëmë, që ka qenë nga 6 deri 8 e 9 euro më së shumti me atë të tanishmin që është 25 euro. Ky krahasim të frikëson domosdo, sikundër që i ka frikësuar dhe i ka stepur tashmë shumicën e bujqëve kosovarë. Sot, çmimi i një thesi të plehut Urea 46% (kështu quhet marka e këtij lloj plehu) nëpër barnatoret bujqësore në Kosovë sillet nga 23 euro e gjysmë deri në 24 e 25 euro, ndërkohë që vitin e kaluar çmimi i tij ka qenë vetëm 8 euro.

Një nga faramcistët bujqësor, në kushte anonimiteti, për Buletinin Ekonomik ka thënë se krahasuar me vitin e kaluar këto lloje të plehrave janë rritur përafërsisht 100-120 për qind, pasiqë plehu vjeshtor i Greqisë dhe ai i Rusisë kanë qenë në treg me çmim 8 euro, ndërsa plehi i Austrisë është tregtuar me çmim 7 euro e 50 centë. Ndërkohë, ai poashtu thotë se çmimi i plehut artificial Urea 46% në përiudhën e njejtë të vitit të kaluar është shitur për 9 euro, ai KAN 27% me 6 euro dhe KAN 39% për vetëm 6 euro e 25 centë për thes.

Tregtarët e lëndëve të para për bujqësinë njoftojnë se edhe farërat për mbjellje kanë shënuar një ngritje për 10 deri në 20 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Sipas tyre, me rritjen e çmimeve të këtyre materialeve riprodhuese, pritet shumë shpejtë që të rriten edhe çmimet e farërave si ato të grurit, qepës, hudhrës, patates, rrushit, domates dhe specit. Edhe çmimet e ushqimit të kafshëve, pak a shumë janë rritur në perqindjet e plehut artificial, gjegjësisht tani ata tregtohen shumë fish më shtrenjtë se sa në vitin e kaluar.

Kjo rritje kaq e madhe e një produkti-lëndë e parë e rëndësishme në bujqësi siç është plehu kimik nuk ka ndodhur deri tash në Kosovë. Janë ngritur, përafërsisht në këtë nivel, ose pak më pak se Urea, edhe të gjitha llojet e tjera të plehrave artificiale, dhe produktet e tjera të repromaterialit të bujqëve kosovarë, të cilat janë të domosdoshme për mbjelljet pranverore dhe për riplehërimin e grunajave. Me trendin e pashembullt të rritjes së çmimeve të materialeve riprodhuese në bujqësinë kosovare, ka shumë mundësi që arat tona sivjet të mbesin djerrë, të papunuara dhe pa kultura bujqësore. Nuk është e domosdoshme të analizosh shumë për t‘u bindur që frika se arat tona do të mbesin në këtë pranverë djerrë, është reale dhe ajo tashmë i ka bërë të “flasin me veten” bujqit e Kosovës.

Për ish-kryeministrin Avdullah Hoti kjo rritje e çmimit të inputeve bujqësore, bujqit do ta kenë të vështirë të mbajnë nivelin e prodhimit si në vitin paraprak. “Kjo do të ndikojë në rënien e të ardhurave të mijëra familjeve që aktivitet kryesor e kanë bujqësinë. Efekti negativ do të jetë zinxhiror, pasi do të rritet importi i produkteve bujqësore dhe do të përkeqësohet aftësia konkurruese e prodhuesve kosovarë në tregun e brendshëm dhe të jashtëm. Qeveria urgjentisht duhet të rrisë subvencionet për bujqësi së paku për 25 për qind për të ruajtur nivelin ekzistues të aktivitetit bujqësor në vend. Po aq e rëndësishme për bujqit është që subvencionet të paguhen në kohën kur bujqit duhet të blejnë inputet bujqësore”, ka theksuar Hoti. Ai ka shtuar se nëse subvencionet nuk rriten, atëherë sivjet mund të shohim më shumë tokë djerrë dhe ferma të kafshëve që mbyllen. “Në kontekst të rritjes së pasigurisë në tregjet botërore, është e rëndësisë strategjike sigurimi i një niveli minimal të prodhimit bujqësorë, krahas qëndrueshmërisë së furnizimit me energji që duhet të sigurojë Kosova në afat të gjatë’, ka thënë ai.

Gjithsesi, diçka duhet bërë. Urgjentisht, madje. Nëse institucionet vendimmarrëse duan që të ketë mbjellje pranverore, që të ketë riplehrim të grunajave si parakusht esencial për rendimente solide të këtij drithi dhe që të mos mbeten tokat e fermerëve kosovarë djerrinë, duhet kthyer vëmendjen kah bujqit kosovarë, hallet reale të tyre si pasojë e ngritjes enorme të produkteve të repromaterialit dhe bërjes të mundshme punën paksa normale në arat e tyre. Natyrisht, e pakta që mund të bëhet është që Qeveria urgjentisht të rrisë subvencionet për bujqësi, siç ka potencuar ish-kryeministri, së paku për t’i kompenzuar çmimet enorme të shpërfaqura tani në lënden e parë për të mos mbetur këto toka, edhe ashtu të pakta, djerrina. Duhet një orë e më parë të ngrihen këto çmime, për një periudhë të caktuar, dhe pastaj të shihet dhe të bëhet. Kjo do të ishte mbase zgjidhja e përkohëshme në gjithë këto probleme të shpërfaqura për agrarin tonë pas rritjes enorme të çmimeve./ Buletini Ekonomik/