Në asnjë vend të botës nuk lejohet kaosi dhe anarkia as në ecuritë e çmimeve. Nuk lejohet rrezikimi i ekuilibrit social të shtetit në botë, siç ndodhi në dhjetë ditshin e parë të marsit të sivjetshëm të ne me ngritjen artificiale rekorde të çmimeve, më të lartat në botë. Për ta evituar këtë kaos, dështuan organizmat apo institucionet relevante që do të duhej dhe janë të obliguar ligjrisht për ta ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend. Kosova, pra nuk është që nuk i pati këto institucione.
Mehmet GJATA
15 marsi, i proklamuar në botë si Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit, pak a shumë sinjalizon dhe shpërfaqë njëfarë interesimi të shteteve normale për ta pasur vëmendjen te konsumatorët dhe ka për qëllim në njëfarë mënyre mbrojtjen e konsumatorëve. Pra, dedikimi i kësaj dite ndërkombëtarisht për konsumatorët, e ka qëllimin, parasëgjithash, në mbrojtjen e tyre, e që nënkupton ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve, si dhe mbrojtjen e tyre nga çdo tentativë dhe përpjekje abuzive të tregtarëve të prirur për manipulime dhe keqpërdorime tregtimi, qoftë me çmime, sasi apo cilësi të produkteve të tyre.
Kosova ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve në qershor të vitit 2004 dhe i njëjti përfshin të drejtën e informimit, sigurisë, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u dëgjuar. Por, edhe kjo ditë e dedikuar për ta, edhe legjislacioni në fuqi në Kosovë, akoma, sot e kësaj dite, janë shumë larg së bashkëjetuari me konsumatorin kosovar. Ata akoma, sot e këtu, as që i pyet ndokush për ndonjë gjë, për ndonjë proces të ecurive të konsumit, të ecurive të çmimeve, të tregtimit të produkteve me afate të skaduara dhe të atyre me cilësi të diskutueshme.
Konsumatori i varfër kosovar, siç ndodhi edhe këtyre ditëve, më saktësisht me 8-9 dhe 10 shkurt, u përballë me çmime rekorde, më të lartat në botë, të cilat i aplikuan tregtarët por edhe prodhuesit shqiptarë të Kosovës, përfitues të situatave të krizës, manipulues dhe zhvatës ordinerë, pak a shumë me identitet të njohur që më parë (të evidentuar për veprime të njëjta në shumë raste më përpara), qoftë te disa produkte elementare ushqimore, qoftë te karburanet, e sidomos te nafta dhe benzina.
Në këtë mënyrë, me këto çmime rekorde konsumatori i skamur kosovar u vu para aktit të kryer nga ky soj tregtarësh, të cilët duke shfrytëzuar situatën, të krekosur madje u drejtoheshin konsumatorëve me shpërfillje totale: ”Lëre, ose merre”, pavarësisht çmimit enorm dhe të ngritur në stratosferë. Natyrisht, ky soj tregtarësh, me kohë kishte propaganduar pa rreshtur dhe nëpërmjet shpalljeve publike të vendosura në shtandet e produkteve qenësore ushqimore, se gjoja sasia e produktit me çmim rekord botëror “është e limituar”, prandaj edhe ofronin produkte numerikisht të kufizuara për blerësit.
Dhe, konsumatori i ‘stërvobekt’ i Kosovës, i alarmuar jo pak nga kjo propagandë e ndyrë e tregtarëve mashtrues, në jo pak raste është detyruar të futet në borxhe financiare për të siguruar, edhe në këto kushte, një litër vaj, disa kilogramë miell dhe ndonjë produkt të shpallur si “i limituar” nga zhvatësit kosovarë.
Kontrollet e ushtruara nga institucionet kompetente të vendit pas këtij shfrenimi të egër çmimesh, dëshmuan për të gjitha këto keqpërdorime, që vazhduan të ndodhin, ç’është e vërteta, më pak se në datat e sipërpërmendura, edhe në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, duke e vendosur konsumatorin e këtij vendi në pozita të palakmueshme, në gjendje ankthi, shqetësimi dhe tronditjeje serioze. Në gjithë këtë kaos dhe trishtim të krijuar nga çmimet enorme të ngritura, shumëkush vazhdon të thotë se çka ka pasur mundësi të bëjë shteti dhe institucionet e tij në këto rrethana, kur Kosova është shtet demokratik kapitalist me rregullim shoqëror ku duhet të vlejë edhe te tregtimi parimi i ofertës dhe kërkesës dhe kur shteti nuk ka të drejtën që të “përzihet” as të diktojë trendet e ecurive të çmimeve.
Të gjitha këto dilema edhe mund të shprehen dhe të shpërfaqen në publik, mirëpo duhet të shpjegohet poashtu se në asnjë vend demokratik nuk lejohet kaosi dhe anarkia edhe në ecuritë e çmimeve. Nuk lejohet, pra askund në botë rrezikimi i ekuilibrit social të shtetit, siç ndodhi në dhjetëditëshin e parë të marsit të sivjetshëm tek ne. Për ta evituar këtë kaos, shteti me kohë, edhe tani në demokraci, ka krijuar organizma-institucione që do të duhej dhe janë të obliguar ligjrisht për ta ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend. Kosova, pra nuk është që nuk i pati këto institucione.
Sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), objektiva e dytë e BQK-së është ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Por, siç ka shpjeguar këto ditë në një status të tij në rrjetet sociale Edison Jakurti, anëtar i Grupit Punues për hartimin e Projektligjit për formimin e Fondit Sovran, që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, BQK-ja nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Ajo vazhdimisht është fshehur pas një pohimi të pavërtetë se Kosova nuk ka politikë monetare.
“Është e vërtetë që Kosova nuk e ka valutën e vet dhe BQK është e kufizuar, por BQK e përcakton normën e rezervave minimale që bankat duhet ta kenë – kjo është politikë monetare” ka thënë Jakurti.
Përmes ngritjes së kësaj norme, Jakurti thotë se BQK-ja do të mund të ndikonte në ngritjen e normave të interesit gjë që mund të reflektojë në uljen e çmimeve.
Nuk ka bërë asgjë thuaja për të ndalur kaosin dhe anarkinë në ecuritë e çmimeve në Kosovë, as Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, as ministrja Rozeta Hajdari, as Artane Rizvanolli, as Qeveria e Kosovës si tërësi institucionale, as Selatin Kaqaniku me asociacionin dhe broçkullat e tij, as, as, as…
Paraprakisht ishte e ditur se për rritjen e çmimeve dhe situatën e krijuar në treg, sidomos në ditët e lartëcekura do të jetë e kotë seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga opozita dhe e mbajtur më 15 mars. E kotë ishte, sepse u mbajtë disa ditë pas ndodhjes së shpërthimit të mashtrimit me çmime, pas pasojave të dala sheshit dhe pas debateve me ngjyrim kryekëput politik dhe pa ide për të zgjidhur problemin “post mortum”. Dhe të gjitha këto kanë mundur të bëjnë diçka para se të ndodhë “tërmeti” dhe jo vetëm të konstatojnë problemin, siç është bërë tashmë praktikë e institucioneve tona.
Institucionet e shtetit kanë pasur mundësi që me shkëndijat e para të shpërfaqjes së krizës nga pasojat e paralajmërimit të ngritjes artificiale dhe të vrullshme të çmimeve, t’i zbusin diku-diku ato, t’i parandalojnë dhe t’i frenojnë së paku.
A nuk kanë mundur të gjitha këto institucione që paraprakisht, pra para 8- 9 dhe 10 marsit, kur ndodhi ‘tërmeti” i vërtetë çmimesh të ngritura në stratosferë” që të bëjnë uljën e akcizës për karburantet, heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë, kufizimin e çmimit të derivateve të naftës për një periudhë të caktuar, siç bënë disa nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor si përgjigje ndaj ngritjes së çmimeve si pasojë e krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë?
Të gjitha këto veprime, paraprakisht i bënë, siç dihet, shumë shtete, edhe ato rreth e qark Kosovës. Maqedonia e Veriut për një kohë të caktuar kishte ngrirë paraprakisht çmimet e shumë produkteve elementare ushqimore, Serbia aplikoi tavanin në çmimet e bukës dhe të derivative deri në prill, Hungaria e ka të përkufizuar poashtu ngritjen e çmimeve të derivateve të naftës, e kështu me radhë.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekonomistë, nuk është që nuk kërkuan bukur herët nga Qeveria e Kosovës të vendosë masa për t’i mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe karburanteve në tregun vendor dhe për të rritur angazhimin për monitorimin e tregut. E kërkuan ndërmarrjen e masave edhe ekspertët dhe njohësit e rrethanave të ecurisë së lëkundjes së çmimeve. Por, këto kërkesa, praktikisht ranë në “vesh të shurdhër”. Nuk u ndërmorrë asgjë, përveç disa suvencioneve për biznese dhe për agrarin kosovar. Dhe, këtë shurdhim dhe heshtje institucionale e shfrytëzuan batakqinjtë, tregtarët mashtrues dhe të pacipë. I ngritën çmimet dhe i bënë ato, ndër më të lartat në botë. Dhe me këtë veprim i bënë dëm kolosal shtetit dhe pushtetit, por më shumë se kaq, dëmi i pakompenzueshëm është shqetësimi dhe rrezikimi real i paqes sociale edhe ashtu të brishtë në Kosovë, varfërimi edhe më tej i kosovarëve të skamur me vite dhe ankthi i shkaktuar nga çmimet rekorde, të papara deri më tani për ardhmërinë e banorëve të këtij vendi. /Buletini Ekonomik/