Të papunët dhe bujqit kërkojnë mbështetje prej 100 eurosh nga qeveria

Euro

Mos përfshirja e qytetarëve të papunë dhe bujqve në vendimin e fundit të qeverise për ndarjen e një ndihme financiare prej 100 eurosh, është pika më dobët e këtij vendimi. Qytetarët e papunë dhe bujqit po e vlerësojnë këtë vendim si të padrejtë, sepse sipas tyre, kjo shtresë e qytetarëve ka nevojë më së shumti për përkrahje nga shteti.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka marrë vendim për ndarjen nga 100 euro për të gjithë të punësuarit në sektorin privat, atë publik, pensionistët, studentët dhe familjet me asistencë sociale. Ndërsa në ketë vendim nuk janë përfshire të papunët dhe bujqit. Se ky vendim është  i padrejtë  e thotë për Radio Kosovën qytetarja Fatime Gashi, e papunë. Ajo tha se kjo është shtresa që më së shumti ka nevojë për mbështetje financiare nga qeveria.

“Vendimi i fundit i qeverisë për ndarjen e 100 eurove ku nuk i ka përfshi të papunët, është shumë i padrejtë. Ne edhe të papunë edhe nuk na kanë parapa në këto shtesa. Shumë keq kanë bërë”, tha ajo.

Reklama e sponzorizuar

Edhe  njohës të ekonomisë vendimin e fundit të qeverise po e vlerësojnë si jo të drejtë, pasi nuk janë përfshirë qytetarë të shumtë në këtë pako dhe se qeveria ditëve në vazhdim duhet të mendojë që t’u dalë në ndihmë këtyre kategorive. Kështu tha në një përgjigje për Radio Kosovën njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

“Është e vërtetë që pika me e dobët e një hapi të tillë është mospërfshirja në rrafshin horizontal. Kemi disa kategori vërtet të atakuara që janë jashtë kësaj skene. Mirëpo, dua të besoj që në kuadër të kabinetit qeveritar ka ekspertë të fushës së ekonomiko sociale që do të gjejnë dhe do të rekomandojnë masa për ndihmë për fermerët, bujqit dhe të papunët, sepse është një numër shumë i madh i qytetarëve që kanë mbetur jashtë kësaj skene”, tha ai.

Ndryshe në Kosove rreth 80 mijë qytetarë janë të regjistruar  në Agjencinë  e Punësimit në Kosovë si të papunë dhe sipas njohësve të çështjeve ekonomiko- sociale, kjo shifër është në rritje të vazhdueshme pas krizës  globale e cila e ka përfshirë edhe vendin tonë.